Zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit – Trump: Më vodhën votat!/ Sa e sigurtë është vërtet Dominion

21/11/2020 14:58

Presidenti Trump dhe aleatët e tij kanë hedhur prej kohësh hije dyshimi mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, duke sfiduar gjithcka, që nga procedurat e vëzhgimit të sondazheve e deri tek datat mbi disa fletëvotimi.

Keto ditët e fundit, thotë Washington Post, Trumpi dhe ekipi i tij i këshilltarëve ligjorë, gjetën një shënjestër të re: kompaninë Dominion, e cila garanton teknologjinë e sistemit të votimit në mbarë Shtetet e Bashkuara. Ne në krah Rudy Giulianin dhe Sidney Powell, presidenti e akuzoi Dominionin se ka fshirë vota që kishin qenë në emrin e tij, ndërsa sistemin e saj e cilësoi si të pasaktë e të pasigurtë.

Ndihmësit e republikanit po ashtu pretenduanse se software-i i Dominionit ishte krijuar me porosi të ish presidentit venezueljan Hugo Chavez  për të fituar zgjedhjet ne vendin e vet. Teksa nuk ka prova për asnjërën nga këto akuza, thotë gazeta, ato po hedhin një tjetër dritë mbi mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve në SHBA dhe mbi kompanitë private si Dominion që kanë luajtur prej kohësh një rol kryesor në këtë proces.  Washington Post kujton se Dominion Voting Systems u themelua në 2003. Ajo nisi si kompani Kanadeze dhe më vonë u përfshi në Shtetet e Bashkuara, ndërsa sot ka zyra në Denver dhe Toronto. Kompania ofron software dhe pajisje për zgjedhjet, përfshirë programe kompjuterike për menaxhimin e bazës së të dhënave dhe auditime zgjedhore, makineritë e votimit që kanë ekran me prekje, skanuesit e votave dhe printerët e tyre.

Shtete anekënd SHBA-së e kanë përdorur prej vitesh. Dominion thotë se i shërben më shumë se 40 përqind të votuesve amerikanë dhe se  produktet e saj përdoren në 28 shtete. Krahas Dominion, dy kompani të tjera janë gjithashtu të kërkuara për të ndihmuar në  administrimin e zgjedhjeve amerikane: Election Systems & Software, e cila është e vendosur në Omaha dhe Hart InterCivic, me bazë në Austin. Të treja këto kompani janë në pronësi private. Por sa i sigurtë është sistemi i Dominion? Kompania thotë se pajisjet e saj kalojnë nëpër një sërë kontrollesh të sigurisë. Pajisjet e shënimit të votave, sipas drejtuesve te saj, janë po aq të sigurta sa edhe fletët e votimit të shënuara me dorë. Disa ekspertë të sigurisë kibernetike megjithate nuk ndajnë të njëjtin mendim.

Ata nuk e përjashtojnë mundësinë që dikush të manipulojë makineritë në mënyrë të tillë që kur letra të printohet, ajo të mos reflektojë qëllimin e vërtetë të votuesit. Si për t’i bërë gjërat më të komplikuara, të dhënat në letër, të prodhuara nga disa pajisje për shënimin e votave – përfshirë ImageCasts të përdorura në Xhorxhia – i shndërrojnë zgjedhjet e votuesve në një bar-kod, i cili skanohet për të regjistruar votën e tyre. Hakerat kompjuterikë, nga sa pohojnë ekspertët, mund t`i manipulojnë ato barkode. Kompania vetë e quan këtë një skenar të pamundur dhe përsërit se produktet e saj kanë kaluar teste sigurie të kryera nga laboratorë të pavarur e të akredituar në nivel federal.

Top Channel