Telashe për Torinon, Giampaolo dhe dy futbollistë, pozitivë para transfertës ndaj Interit

21/11/2020 00:41

Telashe edhe për Torinon në prag të transfertës milaneze ndaj Interit, pasi trajneri Marco Giampaolo dhe dy futbollistë kanë rezultuar pozitivë në tamponët që kanë kryer ditën e djeshme, menjëherë pas kthimit të lojtarëve nga përfaqësueset përkatëse.

Emrat e lojtarëve të prekur nga koronavirusi nuk bëhen të ditur nga klubi “granata”, që gjithsesi thekson se ata janë vendosur menjëherë në izolim, ndonëse nuk kanë simptoma të Covid-19.

Ndërkohë sot i gjithë grupi i lojtarëve dhe stafi teknik u janë nënshtruar sërish tamponëve, ndërsa Giampaolo “kryqëzon gishtat” për të mos pasur të prekur të tjerë, pasi do të bëhej vërtetë e vështirë transferta ndaj Interit.

Kujtojmë që Torino e ka nisur shumë keq kampionatin dhe në shtatë ndeshjet e para që ka zhvilluar numëron vetëm një fitore, dy barazime e 4 humbje dhe renditet në vendin e 17 me vetëm 5 pikë.

Top Channel