Nënshtetësia në lindje/ Trump përgatitet t’i japë fund

21/11/2020 13:05

Raporte në shtypin e huaj tregojnë se përpara largimit nga Zyra Ovale, presidenti Donald Trump po përgatitet të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv, i cili i jep fund nënshtetësisë së fituar që në lindje.

Burime të ndryshme thanë për “The Hill” se kjo çështe po diskutohet shumë shpesh nga anëtarët e administratës Trump. Ata po shpresojnë ta shtyjnë presidentin të kalojë në veprim përpara se Joe Biden të bëjë betimin në 20 janar. Sipas ligjit aktual, të gjitha foshnjat e lindura në Shtetet e Bashkuara marrin automatikisht nënshtetësinë, pavarësisht nëse prindërit e tyre janë amerikanë ose jo.

Një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga Presidenti Trump ka të ngjarë t’i japë fund mbrojtjeve të tilla ligjore. Kur u pyet nga the Hill, administratat e Trump nuk pranoi të komentonte mbi këtë çështje. Disa ekspertët kushtetues mendojnë se çdo urdhër që Trumpi mund të lëshojë për këtë çështje, nuk do të qëndrojë në përputhje me ligjin.

Ata argumentojnë se kjo lloj nënshtetësie garantohet me Amendamentin e 14-të. Megjithatë, gjykatat nuk kanë dalë me një vendim përfundimtar. Trump e ka diskutuar dhe më herët fundin e nënshtetësisë nga lindja, për të cilin pretendon se nuk do t’i nevojitej një amendim kushtetues.

Top Channel