‘Kundër Remdesivirit’- OBSH: Të mos përdoret për Covid-19

21/11/2020 02:36

Organizata Botërore e Shëndetësisë i është rikthyer diskutimit të përpara disa kohëve mbi përdorimin e remdesivirit në luftën kundër Covid-19. Edhe pse ilaçi antiviral është konsideruar si një ndër më premtuesit në përpjekjet për mposhtjen e sëmundjes, OBSH i ka këshilluar institucionet shëndetësore të mos e përdorin tek pacientët e shtruar në spital me koronavirus.

Një panel i saj tha se medikamenti nuk ka “ndonjë efekt të rëndësishëm” në mbijetesë ose në uljen e kohës së shërimit. Sipas grupit të Zhvillimit të Udhëzimeve të OBSH-së, nuk ka asnjë provë “të bazuar në të dhënat aktuale në dispozicion që të tregojë se ky ilaç përmirëson gjendjen e pacientit”.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe dhjetëra vende të tjera i kanë dhënë miratim të përkohshëm përdorimit të antiviralit të prodhuar nga Gilead Sciences, pasi një hulumtim fillestar tregoi se ai mund të shkurtojë kohën e shërimit te disa pacientë me koronavirus të prekur më rëndë.

Vetë presidenti amerikan, Donald Trump, i cili doli pozitiv për koronavirusin në fillim të tetorit, u trajtua me Remdesivir dhe me disa medikamente të tjera.

Paneli i OBSH-se, ndonëse këmbëngul se ky ilaç nuk ka pasur efekt domethënës në uljen e vdekshmërisë, nevojën për ventilim mekanik, kohën e rikuperimit dhe faktorë të tjerë, sërish nuk e pohon qartazi në rekomandimin se tij se Remdesiviri nuk ka fare përfitime.

Top Channel