Nuk kishte ndodhur kurrë, Sekretari amerikan i shtetit viziton Bregun Perëndimor

20/11/2020 01:46

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo vizitoi një vendbanim hebre në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Asnjë zyrtar i lartë amerikan nuk e kishte bërë më parë një gjë të tillë.

Pompeo po qëndron në Izrael në kuadër të një turneu disa ditor në Lindje të Mesme dhe Europë, që e filloi në 14 nëntor. Udhëtimi në Psagot vjen një vit pasi Pompeo vetë deklaroi se vendbanimet nuk binin në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, duke hedhur poshtë një pozicion të kundërt që SHBA-ja kishte mbajtur prej kohësh.

Deklarata i pati zemëruar palestinezët, të cilët kundërshtojnë vendbanimet hebreje në token të cilën e konsiderojnë të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm të pavarur. Më vonë, kryediplomati amerikan planifikon të ndalojë edhe në Lartësitë Golan, territori historik që shteti hebre e pushtoi nga Siria në luftën gjashtë ditore të vitit 1967.

Vitin e kaluar, administrata e presidentit, Donald Trump mori vendim për të njohur sovranitetin izraelit në Rrafshnaltën e Golanit – një veprim të cilin Pompeo e cilësoi si “historikisht të rëndësishëm dhe thjesht një njohje e realitetit”.

Top Channel