Gjermani/ 15 milionë makina elektrike, deri në 2030

20/11/2020 11:52

Numri i makinave elektrike në rrugët e Gjermanisë mund të rritet shumë më shpejt nga sa parashikojnë ekspertët.

Prodhuesit e automobilëve besojnë se rreth 15 milionë makina elektrike do të regjistrohen në këtë vend deri në 2030-tën. Gjermanisë do t`i duhet të ndërtojë për këtë qëllim rreth 440 mijë stacione për rimbushjen e tyre. Të dhënat janë bërë publike nga një studim i porositur prej ministrisë gjermane të transportit, i cili doli në përfundimin se  pas dhjetë vitesh, në qarkullim do të ketë miliona automjete të tilla.

Aktualisht, Gjermania ka vetëm 33 mijë stacione publike për rimbushjen e makinave elektrike.Studimi parashikoi që dy të tretat e hapësirave private të parkimit deri në 2030-tën te kenë një pikë për rimbushjen e makinave, pika këto qe do te kthehen ne një domosdoshmëri, sipas hartuesve te raportit. Në qytete, ishte i nevojshëm një stacion publik i rimbushjes për 14 automjete, ndërsa, në fshat sipas studimit duhej vetëm një për 23 automjete.

Top Channel