Biden fiton Xhorxhian: Trump është i papërgjegjshëm!

20/11/2020 10:35

Rinumërimi i votave në Xhorxhia konfirmoi fitoren e Joe Biden, një triumf ky për demokratët që e zgjeruan hartën e tyre elektorale në juglindje të vendit.

Fitorja e Biden rrit epërsinë e tij në Kolegjin Zgjedhor ndaj Presidentit Donald Trump. Demorkati e mposhti rivalin republikan me 12,284 vota në këtë shtet, në të cilin Trump kishte fituar mbi Hillary Klintonin me 5% më shumë vota. Presidenti i zgjedhur tha se ishte i bindur që Trumpi e dinte fare mirë se nuk do të fitonte në Xhorxhia, dhe se tregoi një “papërgjegjshmëri shumë të madhe”.

Rinumërimi tregoi se marzhi i gabimit nuk ishte më i madh se 0.73% në një konte dhe se në nivel më të gjerë, kishte mbetur nën 0.5%. Në vitin 2020, demokratët u përqendruan shumë në këtë shtet, duke e parë atë si një mundësi për fitore, dy vjet pasi demokratja Stacey Abrams humbi ngushtë garën për guvernatore të shtetit.

Të dy vendet e Senatit në Xhorxhia kanë shkuar në balotazh, duke rritur më tej profilin politik të shtetit. Xhorxhia nuk kishte votuar për një kandidat demokrat për president që nga viti 1992, kur Bill Clinton u bë president i vendit.

Top Channel