Situata në Rusi/ Shkon mbi 2 milionë numri i rasteve me COVID-19

19/11/2020 14:17

Me 23.610 raste dhe 463 vdekje nga koronavirusi i ri (COVID-19) në 24 orët e fundit, në Rusi shënohet shifra “më e lartë e rasteve ditore dhe vdekjeve” që nga fillimi i pandemisë.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksioneve të Koronavirusit njoftoi se me 23.610 raste të reja, numri gjithsej i rasteve ka arritur në 2.015.608, ndërsa me 463 vdekje të reja numri gjithsej i vdekjeve ka arritur në 34.850.

Numri i të shëruarve ka arritur në 1.526.656, me 25.573 të shëruar në 24 orët e fundit. Norma e rritjes ditore e numrit të rasteve në Rusi është 1,2 për qind, ndërsa 25,7 për qind të rasteve të reja janë asimptomatike.

Në Moskë janë regjistruar 6.438 raste të reja, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 533.068, ndërsa numri i të vdekurve në kryeqytetin rus është rritur në 8.082, me 73 viktima të reja.

Nga ana tjetër, Shërbimi i Shëndetit Publik dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit bëri të ditur se deri më tani në Rusi janë kryer mbi 70,6milionë teste, përfshirë 577 mijë në 24 orët e fundit. Rasti i parë me COVID-19 në Rusi u zbulua më 31 janar, ndërsa vdekja e parë u regjistrua më 19 mars.

Më 28 tetor, Rusia shtrëngoi masat parandaluese kundër virusit, sipas të cilave, qytetarët detyrohen të mbajnë maska ​​në vende publike, automjete të transportit publik, taksi, parkingje dhe ashensorë.

Po ashtu, në të gjitha qytetet, lokalet e zbavitjes, restorantet, baret dhe kafenetë u ndaluan të punojnë nga ora 23:00 deri në ora 6:00.

Top Channel