Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kanë përfunduar grevën, pasi që iu është konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit se pagat për muajin tetor do të transferohen në llogaritë e tyre.

Ndërprerjen e grevës e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Gani Osmani, nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

“Greva ka përfunduar, minatorët kanë dalë nga miniera aty ku kanë qëndruar disa, nga dita e mërkurë e disa që nga mëngjesi i ditës së sotme. Greva është ndërprerë pasi që janë informuar se pagat do t’iu dalin në xhirollogari”, tha Osmani.

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça”, u futën në grevë të mërkurën, pasi që nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

Pas kësaj situate të krijuar, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të ndërmarrjes “Trepça”, Hysen Vrajolli, dha dorëheqje.

Pas dorëheqjes së Vrajollit në këtë detyrë është emëruar Enes Muzaqi.

Qeveria e Kosovës më 13 nëntor ka konfirmuar se ka ndarë mbi një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për t’i tejkaluar problemet financiare, në të cilat ndodhet aktualisht kjo ndërmarrje.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Top Channel