Michigan/ Rezultati në qarkun kryesor çertifikohet pas bllokimit të numërimit nga republikanët

19/11/2020 01:20

Qarku më i madh i Miçiganit çertifikoi unanimisht rezultatet e zgjedhjeve presidenciale pas bllokimi të numërimit nga republikanët, që kërcënuan kështu përkohësisht miratimin zyrtar të fitores së demokratit Joe Biden në këtë shtet.

Bordi Zgjedhor i Qarkut të Uejnit veproi pasi votimi fillestar 2 me 2 u dënua nga demokratët dhe ekspertët e zgjedhjeve si një përpjekje e rrezikshme për të përmbysur vullnetin e votuesve. Bordi u mblodh pas disa ditësh padi gjyqësore të pasuksesshme të paraqitura nga republikanët dhe aleatët e Presidentit Donald Trump ndaj rezultatit të zgjedhjeve.

Ata kishin dalë me pretendimin se ka pasur manipulime gjatë procesit të numërimit të votave të hedhura jo fizikisht në një qendër votimi në Detroit. Biden shënoi një fitore të thellë në qarkun e Uejnit, një bastion i demokratëve, duke marrë 33 për qind më shumë vota sesa Presidenti Trump. Sipas rezultateve jozyrtare ai ka fituar shtetin e Miçiganit me një diferencë prej 146 mijë votash. Monica Palmer, anëtare republikane e bordit, tha se lista e votuesve të regjistruar në zona të caktuara të Detroitit nuk ishte e balancuar, ç’ka do të thotë se numrat e votuesve të regjistruar në disa qendra votimi nuk përputheshin me numrin e fletëve të votimit.

Anëtari demokrat i bordit, Jonathan Kinloch reagoi duke thënë se mos çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve ishte një veprim “i pamatur dhe i papërgjegjëshm”, pasi sipas tij nuk bëhej fjalë për mashtrim. Sipas Kinloch, ishte absolutisht një gabim njerëzor. “Votat e hedhura janë paraqitur në tabelën e rezultateve”, tha ai.

Top Channel