Lëvizja Socialiste për Integrim ka vendosur të rifreskojë mandatin e strukturave të saj drejtuese pak muaj para zgjedhjeve të 25 prillit.

Të shtunën anëtarët e forcës së dytë më të madhe në opozitë janë ftuar të votojnë delegatët e Konventës Kombëtarë dhe kryetaren. Burime pranë LSI-së  bëjnë me dije se Monika Kryemadhi do rikonfirmohet si kryetare për katër vitet e ardhshme, për shkak se ajo nuk gëzoi një mandat të plotë, por vijoi atë të Petrit Vasilit, i cili u dorëhoq në 2017-ën.

“Ne sot iu bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të bëhen pjesë e këtij procesi në mënyrën që ata dëshirojnë”, tha Silva Caka.

Për shkak të pandemisë do ketë dy mënyra votimi, fizikisht dhe online,  përmes kompjuterit në adresën bashkohu.lsi.al apo aplikacionit  LSI, i cili është i aksesueshëm në smartfonët Android. Të drejtën e votës do e kenë edhe anëtarët jashtë vendit.

“Për të gjithë anëtarët që ndodhen jashtë Shqipërisë, gjithashtu edhe ata që e kanë pamundur që t’i drejtohen kutive të votimit për shkak të situatës së pandemisë ose pamundësisë së tyre, aplikacioni “Join LSI” ju vjen në ndihmë:, sqaroi Caka.

Në këtë rast, anëtarëve të LSI-së, të cilët kanë kartë anëtarësie do i dërgohet me mesazh një username dhe password për të kryer procesin e votimit online përmes website-t apo aplikacionit Android. Pas logimit, anëtarëve do u shfaqet në ekran menuja “voto”, ku mund të zgjedhin delegatin  e preferuar dhe të votojnë për kryetarin.

 

Top Channel