Departamenti i Krimeve të Luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd urdhëroi zhvarrosjen e eshtrave të diktuara në një varrezë masive pranë Krizhevakut në Komunën e Rashkës.

REL thotë se shumë shpejt do të përcaktohet se kur ndodh zhvarrosja dhe se cili do të jetë komisioni që do të mbikqyrë procesin. Gjykata thotë se është caktuar po kështu një ekspert gjyqësor, i cili do të mbledhë dhe sigurojë gjurmë materiale që janë gjetur në vend gjatë hetimit paraprak, në përputhje me raportin e Ministrisë së brendshme serbe.

Prokuroria e Krimeve të Luftës në Beograd pohoi më herët se ishte në dijeni të faktit që në një zonë  pranë Rashkës janë gjetur mbetje mortore që dyshohen se u përkasin viktimave shqiptare nga Kosova. Tre ditë më parë, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu, pati konfirmuar se në varrezën masive të Krizhevakut dyshohet se ka eshtra të shqiptarëve të Kosovës.

Në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër zona janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në 1999-ën. Në Kosovë janë ende 1,643 persona, për fatin e të cilëve që prej kohës së luftës, nuk dihet më asgjë.

Top Channel