Shkencëtarët ‘të shtangur’ nga reagimi negativ gjatë pandemisë

18/11/2020 18:46

Pandemia COVID-19 ka qenë veçanërisht sfiduese për shkencëtarët që përpiqen të ndalojnë pandeminë globale duke u ndeshur në të njëjtën kohë me dyshimet e njerëzve në lidhje me shkencën dhe pikëpyetjet rreth synimeve të shkencëtarëve.

“Është shumë dëshpëruese, shumë e mërzitshme dhe zhgënjyese… kolegët tanë, po poshtërohen”, thotë Dr. Barun Mathema, ndihmës profesor i epidemiologjisë në Universitetin Kolumbia në Nju Jork.

Barun Mathema Scientists
Barun Mathema Scientists

Zoti Mathema thotë se shkencëtarët kanë ofruar ndihmën e tyre në luftën kundër COVID-19, duke shtuar oraret e tyre tashmë të ngarkuara, ndërkohë që janë duke u sulmuar.

“Ajo që ka qenë më tronditëse është fakti se disa nga kritikat kanë patur të bëjnë me integritetin tonë,” shton ai. “Disa mendojnë se ka një motiv tjetër prapa gjetjeve tona.”

“Do të thosha se është e turpshme të mendosh se përveç shkencës, ka diçka tjetër që drejton politikën për secilën palë,” thotë Dr. Aaron Glatt, zëdhënës për Shoqatën e Sëmundjeve Infektive të Amerikës. “Pavarësisht nëse je demokrat apo republikan … është shkenca ajo që duhet të drejtojë vendimet dhe politikat shkencore”.

Sipas universitetit Johns Hopkins më shumë se 247,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë vdekur nga koronavirusi dhe 11.2 milionë janë infektuar – shifër më e lartë nga çdo vend tjetër.

“Jam befasuar me pjesën më të madhe të përgjigjes ndaj COVID-19, që është bërë duke sulmuar shkencën dhe duke mos parë të dhënat”, thotë Dr. Boris Lushniak, dekan i fakultetit të shëndetit publik në Universitetin e Merilendit.

Boris Lushiak
Boris Lushiak

Ekspertët paralajmërojnë për një rritje të infeksioneve me COVID-19 gjatë sezonit të dimrit. Zakonisht ata që kritikojnë shkencëtarët në betejë kundër COVID-19 nuk janë ekspertë.

“Besueshmëria e mendimit tënd shkencor sulmohet nga njerëz që nuk kanë një status objektiv për të të sulmuar sepse nuk janë ekspertë të kualifikuar”, thotë Aaron Glatt, profesor dhe shef i sëmundjeve infektive në spitalin Sinai South Nassau në Nju Jork.

Pjesë e problemit, siç e shikon ai, është se mediat sociale u japi fuqi zërave të njerëzve që nuk janë të kualifikuar për të pasur një mendim të drejtë mbi çështjet shkencore.

“Më bën të ndihem keq sepse unë nuk mbaj asnjë anë në këtë çështje. Unë nuk jam pro apo kundër COVID-it. Nuk jam pro apo kundër ndonjë lloj trajtimi”, thotë Aaron Glatt. “Unë dua të vlerësoj trajtimet dhe të arrij në një përfundim shkencor nëse ato janë të efektshme ose jo. Vetëm personat me përvojë dhe ekspertët mjekësorë kanë të drejtë të japim mendim”.

Në vend që të shihet si një çështje shëndetësore, mbajtja e maskave për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19 është politizuar. Disa amerikanë zgjedhin të mos mbajnë maskë si për të bërë një deklaratë politike – një zhvillim ky që ka zhgënjyer komunitetin shkencor.

“Shtetet e Bashkuara do të kishin një përgjigje shumë ndryshe nëse përballë tyre do të kishin 25 bombardues”, thotë zoti Mathema. “Nuk do të kishte rëndësi përkatësia politike, të gjithë do të ishin bashkuar, dhe kjo është ajo që duhet. Ndarja nuk është ajo që nevojitet në kohë lufte dhe një pandemi është shumë e ngjashme me luftën”.

Zoti Mathema thotë se shkencëtarët kanë nxjerrë mësime rreth dhënies së mesazheve dhe nevojës për të shpjeguar konceptet shkencore në një mënyrë që njerëzit e zakonshëm të mund t’i kuptojnë lehtë.

“Ne të gjithë duhet të mësojmë si të komunikojmë disa koncepte bazë të shkencës dhe shëndetit”, thotë ai. “Komunikimi është sigurisht diçka që nuk e kemi bërë gjithmonë si duhet dhe natyrisht nuk ka qenë me qëllime të këqija. Unë mendoj se ky është një mësim i madh… që, kur mesazhi nuk jepet si duhet, mund të shkaktojë edhe një farë mosbesimi”.

Një nga pasojat e paqëllimshme të pandemisë COVID-19 mund të jetë që publiku të ketë një kuptim më të mirë të shkencës dhe kufizimeve të saj.

“Shpresoj që njerëzit besojnë tani më shumë tek shkenca, që shumë nga vendim-marrjet të bazohen në informacione dhe të dhëna dhe që të jemi të gatshëm të pranojmë gabimet” thotë zoti Lushniak. ‘Ju thamë fillimisht mos vini maska por rezultoi që ato duhet të vihen.’ Në këtë mënyrë … ndoshta karakteri dhe bukuria e shkencës megjithë kufizimet e saj, do të kuptohen më mirë nga njerëzit”./VOA/

Top Channel