Senatori i Ajovës, Chuck Grassley, rebuplikani me shërbimin më të gjatë në senat dhe i treti në radhë për postin e presidentit, tha të martën se ai ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus. 87 vjeçari Grassley, njoftoi më herët të martën se ishte në vetëizolim pasi ishte ekspozuar ndaj virusit dhe ishte në pritje të rezultatit të testit. Të martën në mbrëmje, ai tha në një postim në Twitter se kishte dalë pozitiv.
“Unë kam rezultuar pozitiv në testin për koronavirus”, shkroi Grassley në Twitter. “Unë do të ndjek urdhëzimet e mjekëve të mi / udhëzimet e CDC (Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve) dhe do të vazhdoj të jem në vetëizolim. Ndihem mirë dhe nga shtëpia do të vazhdoj punën time për banorët e Ajovës”.
Grassley tha se ai pret që “së shpejti t’i rikthehet aktivitetit të tij normal”. Republikani i Ajovës, i cili ishte në Senat dhe votoi të hënën, nuk dha hollësi mbi mënyrën se si u ekspozua ndaj koronavirusit. Zyra e tij tha të martën në mëngjes se ai nuk po përjetonte ndonjë simptomë.
Në komentet e tij në mëngjes, Grassley tha se ishte “më e rëndësishme se kurrë për të ndalur valën” e virusit në të gjithë vendin dhe mbarë botën. “Ky virus po godet zonat rurale dhe urbane”, tha senatori Grassley. “Asnjë komunitet nuk është imun. Unë i lutem çdo banori të Ajovës që të vazhdojë të bëjë pjesën e tyre të punës për të mbajtur të sigurt familjen dhe fqinjët e tyre.”
Megjithëse nuk kishte veshur maskë ndërsa fliste, Grassley inkurajoi amerikanët që “të lajnë duart, të kufizojnë aktivitetin jashtë familjes, të respektojnë distancimin fizik, dhe të përdorin maskat”. Njoftimi vjen ndërsa republikani me shërbimin më të gjatë në Dhomën e Përfaqësuesve, Don Young nga Alaska, tha se po shërohej nga koronavirusi. Në një deklaratë të hënën, Young tha se ishte shtruar në spital dhe “Unë nuk kam qenë kaq i sëmurë për një kohë shumë të gjatë”.
Young, i cili është gjithashtu 87 vjeç, tha se kishte dalë nga spitali dhe tani është “në rrugën e shërimit”. Me mungesën në votimin e së martës në Senat, Grassley theu një rekord 27-vjeçar të pranisë në çdo votim në Senat. Sipas zyrës së tij, hera e fundit që ai nuk mori pjesë një votim në Senat ishte në vitin 1993, kur ai ishte në Ajova duke ndihmuar në përpjekjet e shpërndarjes së ndihmave pas përmbytjeve të rënda.
Ai tha në një deklaratë të martën se kishte votuar 8,927 herë rresht pa munguar asnjëherë, një rekord në Senat. “Unë jam i zhgënjyer që nuk isha në gjendje të votoja sot në Senat, por shëndeti i të tjerëve është më i rëndësishëm se çdo rekord”, tha ai. Grassley u zgjodh së pari si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 1974 dhe më pas u zgjodh në postin e senatorit në vitin 1980. Ai është kryetar i Komisionit të Senatit për Financat dhe pritet të bëhet republikani më i lartë i Komisionit Jurudik në janar kur të fillojë punën Senati i ri./VOA
Top Channel