Shumë universitete amerikane do të mbyllen pas Ditës së Falenderimeve

17/11/2020 20:36

Ndërsa numri i rasteve të reja me COVID-19 në ShBA vazhdon të rritet, më shumë universitete dhe kolegje planifikojnë kalimin në mësim online pas pushimit për Ditën e Falenderimeve në fund të nëntorit, por ka edhe të tjera që thonë se do të lejojnë kthimin e studentëve në kampus.

Universiteti i Pensilvanisë, Universiteti i Arizonës, Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos dhe Berkeley, Universiteti Syracuse në Nju Jork dhe Universiteti i Miçiganit radhiten në mesin e institucioneve arsimore që po i japin fund mësimit në klasa për semestrin pas Ditës së Falenderimeve.

Universiteti i Arizonës, si dhe Universiteti i Kalifornisë, do të mundësojnë dhomat e konvikteve për studentët që nuk kanë mundësi tjetër banimi.

“Kërkohet një operacion shumë i madh për kthimin e sigurtë të studentëve në kampus, gjë që nuk mund të menaxhohet dy herë në vit”, shpjegon Frederick M. Lawrence, ish-president i Universitetit Brandeis në Masaçusets dhe shef i operacioneve në shoqatën Phi Beta Kappa në Uashington.

“Kur vijnë në mjedise universitare i mbajmë të sigurtë për aq sa janë këtu”, thotë zoti Lawrence. “Kur shkojnë në shtëpi për pushime, duhet të qëndrojnë atje”, përfundon ai.

Normalisht në një vit pa pandemi, studentët u bashkohen familjeve të tyre për Ditën e Falenderimeve, tradicionalisht festa e korrjeve që shënohet me shumë ushqime e programe televizive sportive.

Zakonisht studentët kthehen në kampus për rreth një muaj, pra deri në fund të dhjetorit, kur semestri përfundon për pushimet e dimrit.

Pas tre ose katër javëve të pushimit të dimrit, që përfshijnë festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të ri, studentët kthehen në kampus për fillimin e klasave të reja në janar.

Por pandemia përmbysi kalendarin që nuk ka ndryshuar për dekada.

Miliona studentë janë në lëvizje për Ditën e Falenderimeve dhe pushimet e dimrit, që siç njofton Byroja amerikane e Statistikave të Transportit është sezoni që shënon numrin më të lartë të udhëtimeve gjatë vitit.

Kur rastet me COVID-19 po arrijnë shifra rekorde, shkollat po mundohen të zbusin ndikimin që studentët mund të kenë në përhapjen e virusit.

Shumica e shkollave të Sistemit të Universiteteve Shtetërore të Nju Jorkut (SUNY) do të kërkojnë nga studentët një test negativ për COVID-19 përpara nisjes drejt shtëpisë për Ditën e Falenderimeve. Universitieti ka 414,572 studentë, ka 64 kampuse ku strehohet numri i dytë më i lartë i studentëve të huaj, afër 125 mijë. (Universiteti i Nju Jorkut në qytetin e Nju Jorkut është destinacioni i parë i studentëve të huaj).

“Duke u kërkuar studentëve një test negativ përpara se të largohen, po zbatojmë një politikë të zgjuar dhe të arsyeshme që mbron familjet e studentëve dhe komunitetin në vendlindjen e tyre duke ulur mundësitë e përhapjes së pandemisë“, thotë kancelari i Universitetit shtetëror të Nju Jorkut, Jim Malatras, gjatë një konference shtypi.

Universiteti i Indianës (IU) do t’u kërkojë të 48,514 studentëve të vet të kryejnë një test ndërsa largohen për pushimet e Ditës së Falenderimeve.

Javën që shkoi (11 nëntor), disa studentët të këtij universiteti u pezulluan pasi festuan rrugëve pas një fitoreje në futboll. Një javë më parë Universiteti mbylli qendrën Delta Upsilon deri verën e vitit 2021, pas një tubimi pa maska në ditën e Hallouinit, që njihet edhe si Nata e Shtrigave.

“Studentët po largohen ndërsa rastet e reja me COVID-19 po rriten. Disa prej studentëve mund të ulen afër gjyshërve pas disa ditësh” shkroi në Twitter Matt Cohen, reporter në gazetën Indiana Daily Student.

Universiteti i Mizurit, një tjetër universitet i madh, ndryshoi planet duke kaluar në mësim online për 29,843 studentët e tij. Vendimi që u bë i ditur më 12 nëntor, erdhi pas shtimit të rasteve në Mizuri, sipas Presidentit të Sistemit të Universitetit të Mizurit Mun Y. Choi.

Deri sa nuk u shënua rritja e rasteve, Mizuri kishte në plan kthimin në kampus duke marrë në konsideratë qasjen e kufizuar në internet, financat dhe të dhënat që ata grumbullojnë për numrin e rasteve me COVID-19, tha zëdhënësi i Universitetit të Mizurit, Christian Basi.

“Ne kemi shumë studentë që janë të varur nga puna në kampus, gjë që u siguron një burim të ardhurash. Nëse do të mbyllnim kampusin, jo vetëm që shumë nga këta studentë nuk do të mund të ktheheshin por ka shumë vende pune që do të mbylleshin”, tha zoti Basi.

“Pandeminë e kemi menaxhuar shumë mirë në kampus. Ritmet e rasteve aktive kanë rënë për rreth 90 për qind që nga rritja që u shënua gjatë fundjavës së Ditës së Punës në shtator”, tha ai.

Universiteti i Merilendit (UMD), që planifikonte kthimin e studentëve në kampus pas pushimit, po ashtu ndryshoi vendimin, pra mësimi për 49, 521 studentëve të këtij universiteti vazhdon online pas Ditës së Falenderimeve. Kjo sipas një njoftimi dërguar studentëve nga Presidenti i Universitetit të Merilendit, Darryll Pines.

Universiteti i Merilendit dhe ai i Uiskonsinit janë në mesin e shkollave që kanë njoftuar studentët se nëse udhëtojnë për pushime nuk do të lejohen të kthehen në kampus. Universiteti do të kalojë në tërësi në mësim online, por kampusi do të qëndrojë i hapur për studentët që nuk kanë mundësi tjetër banimi.

Universiteti i Xhorxhias, që ka 38,920 studentë dhe Universiteti shtetëror Youngstown në Ohajo , që ka 11,788 studentë, njoftuan se do të lejojnë kthimin e studentëve në kampus pas pushimeve për Ditën e Falenderimit më 26 nëntor.

Edhe Universiteti i Alabamas që ka 37,842 studentë, do të vazhdojë klasat pas pushimit dhe do t’u mundësojë studentëve testimin për COVID para largimit për Ditën e Falenderimieve dhe pushimeve të dimrit.

Frederick M. Lawrence thotë se testimi dhe karantinimi janë çelësi i kontrollimit të përhapjes së COVID-19 në kampuset e kolegjeve.

“Nëse studentët kthehen, duhet të ketë masa të kombinuara të testimimit nëse ata do të kthehen në kampuse dhe karantinim edhe nëse ata do të jenë në kampus për mësim në distancë” thotë ai.

Duke e ditur se sa me shpejtësi mund të përhapet virusi, universitetet që kthehen nga pushimi thotë zoti Lawrence duket të zbatojnë një protokoll për studentët.

“Ka shumë ndërveprim mes njerëzve jashtë dhe pas kthimit në kampus”, shton ai duke shtuar se “duhet të ketë një shkëputje të madhe dhe se pas janarit dhe shkurtit të ripërsëriten veprimet e shkollave gjatë gushtit dhe shtatorit për kthimin e sigurtë të studentëve në kampus”.

Shoqata Shëndetësore e Kolegjeve amerikane publikoi disa rekomandime në tetor me qëllim që universitetet dhe kolegjet të ndihmohen në përfundimin e semestrit. Shtetet e Bashkuara nuk kanë një plan kombëtar për arsimin e lartë dhe COVID-19.

Informacionet që lidhen me kolegjet dhe COVID-19 përpunohen nga katër burime: “The New York Times”, “The Chronicle of Higher Education”, Iniciativa e Krizave në Kolegje në kolegjin “Davidson”dhe “Inside Higher Education”.

Shumica e studentëve ndërkombëtarë kalojnë pushimet vetëm ose pa familje. Shumë shkolla po inkurajojnë studentët e tyre të mos shkojnë në shtëpi për pushime duke ofruar aktivitete dhe ushqime tradicionale që shërbehen në darkat amerikane për Ditën e Falenderimeve.

Iuliia Rychkova është një studente ndërkombëtare që po doktoron në Universitetin e Misisipit. Semestri i saj vjeshtor përfundon para pushimit të Ditës së Falenderimeve.

“Do të qëndroj në Oksford” aty ku universiteti ka kampusin kryesor, thotë ajo.

“Unë jam studente ndërkombëtare, prandaj është e kushtuesme që të shkoj në shtëpi për një muaj” thotë studentja Rychkova, e cila vjen nga Novokuznetsk e Rusisë, rajon ky që ndodhet në lindje të Kazakistanit dhe në perëndim të Mongolisë./VOA/

Top Channel