Ilir Yzeiri Basha iu detyrohet shqiptarëve një shpjegim përse nënshkroi raportin manipulues të Dick Marty-t

17/11/2020 17:58

Lideri demokrat Lulzim Basha, është lakuar ditët e fundit në ngjarjet e luftës së Kosovës.

Sipas Milaim Bellanicës, një qytetar nga Krusha e Madhe që ka filmuar masakrën e Serbëve në qytetin e tij të lindjes, filmimin origjinal ai pretendon se ia ka dorëzuar Lulzim Bashës. Këto zhvillime u trajtuan në emisionin “Top Talk”, ku një nga të ftuarit ishte analisti Ilir Yzeiri. Sipas tij, Basha duhet të dalë dhe të pranojë këto fakte dhe të mos gënjejë. Yzeiri theksoi se nuk po akuzon askush Lulzim Bashën, por thjesht po i kërkohet të pranojë disa punë që i ka ushtruar në të kaluarën.

“Patjetër që kjo është një betejë politike. Në prag fushatash, jo vetëm këtu tek ne, por ju e keni parasysh çfarë ndodhi në Amerikë, që publikohen edhe historitë më të largëta. Kjo është  vetëm një pjesë e lojës dhe nuk ka të bëj fare me atë që po diskutohet sot. Lulzim Basha nuk po akuzohet, ai nuk është marrë i pandehur nga askush. Lulzim Bashës i është zbuluar një çështje, gjatë kohës që ai bënte një punë shumë të ndershme që do e bëja edhe unë po të ma kishin kërkuar në atë kohë. Lulzim Bashës po i kërkohet që të dëshmojë, në qoftë se ai e ndjen të arsyeshme si qytetar, t’i tregojë opinionit publik. Atij nuk po i kërkohet t’i tregojë as tribunalit të Hagës, as Edi Ramës, as Kosovës. Lulzim Bashës po i kërkohet ndërgjegjja dhe dija e tij morale, a e ka këtë sedër morale për të dhënë një përgjigje. Unë jam plotësisht dakord me Isa Mustafën që thotë që ne nuk na ka ardhur e keqa as nga Lulzim Basha dhe as nga Sali Berisha. Por këtu kemi një problem shumë të madh. Çfarë e pengon Lulzim Bashën që të tregojë që ka qenë përkthyesi i antropologut peruan, ka bërë një punë të ndershme, korrekte, të paguar dhe të mos harrojmë një gjë tjetër që Lulzim Basha ka qenë i ingranuar në institucione evropiane. Çfarë e pengon Lulzim Bashën që të tregojë me rigorozitetin e një shtetari, e një lideri dhe të thotë: Unë kam qenë i punësuar në bazë të këtij ligji, kam qenë përkthyes dhe nuk kam mbledhur as këtë as atë. Pra Lulzim Basha është thirrur në këtë kauzë morale në vitin 2010 dhe për fat të keq edhe atëherë nuk është treguar i sinqertë. I ka thënë antropologut peruan që unë nuk e njoh këtë zotëri ndërsa ai ka thënë që unë kam qenë në Gurë të Madhe, në Burrel, bashkë me Lulzim Bashën dhe ai ka qenë përkthyesi im. Kemi qenë dhe në Has të Kukësit dhe kemi mbledhur fakte për krimet e supozuara të UÇK-së, ndaj civilëve apo ndaj të tjerëve. Opinioni publik ka kuriozitet të dijë çfarë roli ka luajtur ky njeri dhe deri ku ai ka ndihmuar për raportin famëkeq të Dick Marty-t. Këtu vijmë tek një problem tjetër. Raporti famëkeq i Dick Marty-t, i cili u hetua edhe nga një grup hetuesit brenda së cilëve ishin rusë, serb edhe të tjerë dhe nuk gjetën asnjë fakt, bile e hodhën poshtë me neveri atë raport. Ai raport parapriu ndërtimin e Gjykatës Speciale, parapriu më pas edhe atë imazhin që u krijua për luftën çlirimtare të Kosovës. Në atë raport të Dick Marty-t është i përfshirë Lulzim Basha. Nuk po thotë njeri që Lulzim Basha po akuzon Hashim Thaçit, nuk po thotë njeri që Lulzim Basha po nxin luftën çlirimtare të Kosovës. Po i thonë kaq, ti ke qenë përkthyes dhe faktmbledhës, a ke qenë apo jo, kaq. I kërkohet një opinion qytetar. Ndërsa përgjigja e Lulzim Bashës, le njëherë që nuk po tregon të vërtetën dhe e ka stil të tijin që të gënjejë pa pikën e turpit, ndërsa do të ishte e korrekte të thoshte po kam punuar dhe e kam pasur nder që kam punuar”, tha Yzeiri.

Top Channel