Arma më e rrezikshme e Afrikës/ Algjeria konfirmon dislokimin e raketave hipersonike ruse Iskander

17/11/2020 19:35

Ushtria e Algjerisë ka konfirmuar së fundmi për herë të parë dislokimin e raketave balistike hipersonike Iskander, duke publikuar pamje të testimeve të tyre.

Raketa besohet se ka disa vjet që është pjesë e arsenalit ushtarak por mungesa e konfirmimit të mëparshëm ishte pjesë e strategjisë së Algjerisë për të mos njoftuar blerjet e reja të armatimeve.

Iskander konsiderohet gjerësisht si një nga raketat më të afta balistike në botë dhe Rusia e ka eksportuar atë vetëm te Armenia dhe Algjeria. Korea e Veriut dhe e Jugut kanë krijuar variante të ngjashme të mjetit të frikshëm me anë të transferimit të teknologjisë ruse.

Mjeti ka një rang goditjeje prej 500km dhe vlerësohet për preçizionin e lartë dhe manovrueshmërinë, përveç shpejtësisë Mach 5 (5 herë më e larte se shpejtësia e zërit), që e bën thuajse të pamundur të interceptohet.

Prezantimi zyrtar i Iskander vjen pas konflikteve të nivelit të ulët të Algjerisë dhe Marokut me grupe militante. Mjeti konsiderohet si arma më e sofistikuar në Afrikë apo botën Arabe. Algjeria ka blerë gjithashtu kohët e fundit nga Rusia sistemin e mbrojtjes raketore S-400, disa tanke T-90, sistemin e mbrojtjes raketore Pantsir-SM, dhe besohet se ka nënshkruar për blerjen e gjuajtësve të fundit rusë anti-radar SU-57.

Zgjerimi i arsenalit të Algjerisë ka nisur që prej sulmeve të NATO-s në Libinë fqinje në 2011, kur së bashku me Egjiptin nisën një fushatë të gjerë modernizimi armatimesh në përballje me sulme të mundshme.

FOTO GALERI
1/3
Ushtria e Algjerisë ka konfirmuar dislokimin e raketave balistike hipersonike Iskander

Top Channel