Të pagjeturit e Kosovës/ Serbi, zbulohen eshtra shqiptarësh

16/11/2020 21:44

Në Kizhevak pranë Rashkës në Serbi janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës.

Lajmin për REL e konfirmoi Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës.“Mund të pohoj se janë eshtra të shqiptarëve të Kosovës, në Kizhevak të Serbisë”, tha Gërxhaliu. Në këtë zonë, gërmimet nisën 5 vjet më parë.

“Në tri javët e fundit, kemi qenë çdo javë nga një ekip i Mjekësisë Ligjore dhe i kemi parë. Sapo arritur ekipi i tretë me radhë, ka hasur ne eshtra”, tha Gërxhaliu. Tani sipas tij ndryshon procedura e punës, sepse çështja kalon nga prokurori te gjykatësi në Serbi dhe merren vendimet se si do te vazhdojë puna, duke qenë se mund të ndërpritet ajo me makineri të rënda. Kosova kushtëzon marrëveshjen finale me Serbinë me çështjen e të pagjeturve.

Në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare,  që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër zona janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë në 1999. Ndërkohë janë ende 1,643 të zhdukur, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-‘99.

Top Channel