Shqipëria paguan këstin për vaksinën/ Rama: Të sëmurët do rimbursohen për ilaçet Covid-19

16/11/2020 15:15

Qeveria hedh një tjetër hap për të lehtësuar kostot financiare të kurimit të qytetarëve të prekur nga Covid-19.

“Në buxhetin e vitit 2021 ne do të vazhdojmë atë që nis në pak ditë mbështetjen me financë të recetës bazë dhe futjen në skemë për t’u rimbursuar të të gjithë medikamenteve dhe në funksion të të gjithë të prekurve nga Covid-i”, deklaroi Rama.

Kryeministri i tha parlamentit detaje të tjera të planit për rritjen ndihmës ekonomike si dhe kohështrirjen që do të nis prej 1 janar 2021.

“Dyfishim për ndihmën ekonomike gjatë periudhës me pandemi për të gjithë familjet”.

Shqipëria tha kryeministri do të ketë vaksinim falas për të gjitha kategoritë vunerabël e më pas shtresat e tjera të popullsisë.

“Sot qeveria  ka paguar kaparin për Covax. Jemi në komunikim me BE-në, bisedë me presidenten e Komisionit Evropian, kancelarin e Austrisë për aksesin e vaksinimit të popullsisë. Sasitë nuk do të jetë menjëherë të jetë të atilla për mbulim të gjerë të popullisë. Po ndërtojmë aleancat e duhura për mos të mbetur prapa të tjerëve”.

Opozita deklaroi kryeministri me patjetër mund të kritikojë qeverinë por sipas tij, është e pafalshme të dezinformojë e krijojë  lajme të rreme dhe shpifje.

“Shqipëria ka një specifikë në këtë luftë, ka një opozitë, një nga opozitat, atë jashtëparlamentare për fat të keq edhe njëherë në 1000 vjet me këtë sëmundje nuk gjen kurajë të gjejë një rol konstruktiv jo duke hequr dorë nga kritikat, por duke mos bërë krimin e dezinformimit dhe fabrikimit të një realiteti që nuk është ai sot i spitaleve. Është vërtetë kriminale t’u thuash qytetarëve se spitalet janë në kolaps. Nuk janë. Ne do të bëjmë gjithçka që në fund të kemi një bilanc e të jemi të lehtësuar….”

Top Channel