Erdogan provokon nga Qiproja/ Presidenti turk: Dy popuj dhe dy shtete në ishull

16/11/2020 11:56

Presidenti Recep Tayip Erdogan tha se ai mbështet ndarjen e qëndrueshme në dy shtete të Qipros, gjatë një vizite në veriun e kontrolluar nga turqit, çka u konsiderua një provokim nga jugu që njihet ndërkombëtarisht dhe që flet greqisht.

Erdogan po ashtu vizitoi edhe zonën bregdetare të Varoshës në veri, që dikur ishte një resort luksoz turistik por që u shndërrua një qytet fantazmë përgjatë zonës asnjanëse të monitoruar nga OKB që ka ndarë ishullin në Mesdhe që nga pushtimi turk i 1974.

“Ka dy popuj dhe dy shtete të ndara në Qipro. Duhet të ketë bisedime për një zgjidhje mbi bazën e dy shteteve të ndara”, tha Erdogan.

Erdogan e vizitoi Qipron veriore në kuadër të 37 vjetorit të vetëshpalljes republikë, që njihet vetëm nga Ankaraja. Duke komentuar përpjekjet e mëparshme të dështuara, të udhëhequra nga OKB për ribashkimin e ishullit, Erdogan përdori frazën: nuk mund të thash rrobat e lara sot me diellin e një dite më parë.

Komentet e tij shënuan një goditje shtesë për shpresat për një ribashkim të mundshëm të ishullit që është i ndarë mes Republikës së Qipros, anëtare e BE-së, që kontrollon dy të tretat jugore të ishullit, dhe veriut të kontrolluar nga turqit.  Vizita e Erdogan-it në zonën turke, vjen në mesin e tensioneve të shtuara në ishull dhe në Mesdheun lindor.

Top Channel