Ende nuk dorëzohet/ Trump: Do paraqesim padi të reja!

16/11/2020 21:01

Presidenti i zgjedhur demokrat i SHBA-së, Joe Biden dëshiron të ndryshojë vendimet e Donald Trumpit, në ditën e parë të marrjes së detyrës së re në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne kemi plane të mëdha për ditën e parë,” tha shefi i shtabit të Biden, Ronald Klain. Këto përfshijnë kthimin në Marrëveshjen e Parisit, mbrojtjen për migrantët e rinj në SHBA dhe masat e sigurimit shëndetësor. Biden mund ta fillojë këtë pasi të marrë detyrën në 20 janar 2021. Por Trump, edhe pse u duk se po e pranonte humbjen, ndërroi mendje serish. Republikani nënvizoi pretendimet e tij për manipulimin e zgjedhjeve dhe tha se do të vazhdojë luftën para gjykatave. Përveç kësaj, ekipi i tij e bëri të ditur se së shpejti do të ngrihen raste të tjera para gjykatave për mashtrime në zgjedhje. Këtë konfirmoi edhe vetë Trump në Twitter.

Në të njëjtën kohë, avokatët e presidentit bën të ditur se një proces gjyqësor kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Pensilvania nuk ka dhënë ndonjë rezultat. Në një variant të modifikuar të padisë së paraqitur në gjykatë federale, ndihmësit e presidentit kane hequr pretendimin se vëzhguesit zgjedhorë nuk u lejuan të ndiqnin numërimin e votave në Filadelfia dhe Pitsburg. Republikanët mendojnë se në Pensilvania ka pasur keqpërdorime që kanë ndihmuar fitoren e kandidatit demokrat. Autoritetet e General Services Administration (GSA) ende nuk kanë dhënë dritën jeshile për bashkëpunim me ekipin e Bidenit, për të kaluar punët nga administrata e presidentit Tump, tek presidenti i ardhshëm. Zakonisht ekipit të presidentit të zgjedhur i mundësohet shpejt qasja tek dokumentet, për të përgatitur kalimin e administrimit nga njëri tek presidenti tjetër.

Top Channel