Ekonomia në Japoni ka dalë nga recesioni më i rëndë me një rritje prej 5% në tremujorin e tretë të këtij viti.

Vendi ka parë ekonominë të tkurret gjatë 2020, pasi izolimet goditën sektorin e tij të prodhimit dhe shpenzimet e konsumatorëve. Ekonomia e tretë më e madhe në botë tani po tregon shenja rimëkëmbjeje edhe pse disa analistë tregohen të matur dhe thonë se rritja e mëtejshme me shumë gjasa do të jetë modeste. Ekonomitë aziatike po hapin rrugën për rimëkëmbjen globale ekonomike në atë që disa e kanë quajtur “Zoom Boom” (Bumi i zumit).

Kjo i referohet kërkesës së shtuar për ekranë dhe laptopë, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz punojnë nga shtëpia dhe përdorin platformat e takimeve online si Zoom. Ekonomitë aziatike janë mes prodhuesve më të mëdhenj të laptopëve, pajisjeve të komunikimit dhe mjeteve të tjera elektronike.

Rajoni i Azisë do të marrë po ashtu një hov pozitiv pas nënshkrimit të një mega-marrëveshjeje tregtare, gjatë fundjavës, për tregtinë në rajon, ku firmëtarë ishin Japonia, Kina, Koreja e Jugut, Australia dhe Singapori.  Një rritje e kërkesës së brendshme, por edhe e eksporteve ka ndihmuar në rritjen ekonomike në Japoni. E gjithë ekonomia globale ndërkohë pritet të kontraktohet me 4.4 për qind këtë vit ndërsa ajo amerikane do të tkurret me 4.3 përqind, sipas fondit monetar ndërkombëtar. Sidoqoftë, ekonomitë aziatike janë të parat që po tregojnë shenjat e rimëkëmbjes.

Top Channel