Veliaj akuza Bashës: Liria ka emër dhe quhet UÇK! Po tradhtia a ka emër?

15/11/2020 10:31

Nga Kavaja, koordinatori politik i PS-së, Erion Veliaj nuk u kursye ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lidhur me çështjen e UÇK-së, të cilit i drejtoi disa pyetje akuzuese për tradhti kombëtare.

Duke folur në Asamblenë socialiste të Kavajës, Veliaj nënvizoi se kush është demokrat dhe patriot e kupton fare mirë se cila është lëvizja e patriotëve që sot janë rreshtuar në Partinë Socialiste, që nuk e ka tradhtuar kurrë vendin, dhe kush është ajo forcë politike që deri dje thoshte e kam bastion Kavajën e nuk bëri asnjë punë.

“Liria ka emër! Po tradhtia a ka emër? A ka një emër se kush i çoi në Hagë drejtuesit e UÇK? Ka emër kush i sajoi këto shtëpitë e verdha? Ka emër kush i nguli thikë pas shpine vëllait të vet? Ka emër ajo forcë politike, e cila votoi raportin e Dik Martit? Teksa bëjmë këtë betejë, për fitoren tonë më 25 Prill, duhet të flasim edhe me vëllezërit dhe motrat tona demokrate, dhe t’u themi patjetër që liria ka emër, edhe në kohët moderne, po tradhtia a ka emër? Po besëprerja a ka emër? Po thikat pas shpine vëllait tënd, a kanë emër? Unë besoj se kush është demokrat dhe patriot e kupton fare mirë kush është lëvizja e patriotëve që sot janë rreshtuar në Partinë Socialiste, që se ka tradhtuar kurrë vendin, dhe kush është një forcë politike që, deri dje, thoshte e kam bastion Kavajën, po është tkurrur në Kavajë dhe në gjithë Shqipërinë se nuk ka bërë punë dhe ka tradhtuar çdo kauzë patriotike të Shqipërisë sa herë që ka pasur mundësi. S’jemi ne forca politike që i tha terroriste UÇK-së, por dikush tjetër është dhe ata kanë emër. S’jemi ne ata që përgatitën dosjen për në Hagë, po dikush është, një forcë politike është, dhe ka emër”, deklaroi Veliaj.

Ai ftoi demokratët që t’i bashkohen familjes socialiste si forca më patriotike në vend dhe theksoi se qytetarët e Kavajës e kanë të qartë diferencën që ekziston mes PS-së dhe PD-së, e cila po bën një betejë të pandershme, duke fabrikuar lajme të rreme për shtëpi të verdha apo për pandeminë.

“Përveçse të jemi bashkë, duhet të ndajmë fare mirë, kush janë patriotët dhe kush janë tradhtarët 76 vite mbas çlirimit. Me sa duket, kemi të njëjtat beteja siç i kishim 76 vite përpara, por nëqoftëse përpara luftoheshin me armë, sot luftohen në Facebook, sot luftohen në media, sot luftohen në televizor, sot luftojnë me këto dosjet që shkojnë në Hagë, sot luftojnë me këto lajmet e rreme për shtëpi të verdha apo për kërdinë që po bëka pandemia, kjo është e pandershme. Qoftë për luftën e UÇK-së apo qoftë në luftën me pandeminë, duhet të kuptojmë kush janë ata që janë në front të parë dhe kush janë ata që tradhtojnë çdo betejë. Kush janë ata që të lënë në baltë në çdo sfidë dhe kush janë ata që pengojnë çdo patriot që të luftojë çdo betejë, kjo është diferenca”, deklaroi Koordinatori politik i PS në Kavajë, Erion Veliaj.

Top Channel