Provimi i gjuhës, kusht! Gjermani, bllokohet bashkimi familjar

15/11/2020 10:49

Për shkak se nuk japin provimin e gjuhës gjermane, shumë vetë nuk e kryejnë dot bashkimin familjar në Gjermani.

Mes tyre renditen edhe persona nga Shqipëria. Sipas një raporti të revistës gjermane “Spiegel”, pamundësia për të dhënë provimin e gjuhës gjermane aktualisht ka bllokuar bashkimin familjar. Shumë qytetare presin të bashkohen me partnerin/en në Gjermani, shkruan revista e njohur gjermane, dhe agjencia e lajmeve “afp”, duke iu referuar një përgjigjeje të Ministrisë së Jashtme gjermane pas një kërkese të deputetes të së Majtës, Gökay Akbulut.

Personave të prekur nuk i janë ofruar alternativa të tjera. Testi i gjuhës gjermane është kusht për bashkimin familjar, thotë DW. Testet e gjuhës gjermane nuk po zhvillohen në 18 vende, mes tyre Shqipëria, Egjipti, Libani dhe Meksika. Kurse në vende të tjera testi i gjuhës gjermane as nuk ofrohet. 81 vende janë të prekura. Sipas “Spiegel”, institutet Goethe janë duke u përpjekur aktualisht për ofrimin e provimeve online të gjuhës. Kjo media citon ministrin e shtetit, Niels Annen (SPD) me deklaratën se në këtë drejtim plotësohen standardet në sigurinë kundër falsifikimeve apo mbrojtjes së të dhënave.

Deputetja e majtë Akbulut e kritikoi ashpër qeverinë gjermane.

“E drejta e njeriut për familjen duhet të vlejë pa kufizim edhe në kohë pandemie”, tha politikania opozitare e majtë, dhe shtoi se është e papranueshme, që të kërkosh nga bashkëshortët një provë të njohurisë gjuhësore, të cilën ata nuk kanë mundësi ta ofrojnë.

Top Channel