Pompeo niset në një turne jashtë vendit pasi refuzon të njohë fitoren e zotit Biden

15/11/2020 03:13

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo do të shkojë në Francë, Turqi dhe pesë vende të tjera, vetëm pak ditë pasi demokrati Joe Biden u shpall si fitues i pritshëm i garës presidenciale. Por refuzimi i zotit Pompeo për të njohur fitoren e demokratit Biden ka ngritur pikëpyetje.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo do të zhvillojë së shpejti atë që pritet të jetë një prej turneve të tij përfundimtare si kryediplomat i vendit. Ai do të shkojë në Francë, Turqi, Gjeorgji, Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Arabinë Saudite. Udhëtimi vjen vetëm disa ditë pas reagimit nga ana e tij pas një pyetje nga gazetarët lidhur me demokratin Joe Biden, të parashikuar si fitues i zgjedhjeve presidenciale.

“A është Departamenti i Shtetit aktualisht duke u përgatitur të angazhohet me ekipin e tranzicionit të zotit Biden dhe nëse jo, sa e pengon vonesa një tranzicion të qetë?”, – ishte pyetja që gazetari Rich Edson, i rrjetit televiziv Fox News, i drejtoi zotit Pompeo gjatë një konference shtypi në Departamentin e Shtetit. “Do të ketë një tranzicion të qetë në një administratë të dytë të zotit Trump. Jemi gati. Bota po shikon se çfarë po ndodh këtu. Do të numërohen të gjitha votat. Kur procesi të përfundojë, do të zgjidhen anëtarët e Kolegjit Elektoral. Ekziston një proces i përcaktuar mjaft qartë në Kushtetutë.”

Kur u pyet për komentet, zoti Biden qeshi. Demokrati Biden hodhi poshtë shqetësimet që Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ndërsa tha se kishte marrë telefonata urimi nga një numër udhëheqësish aleatë nga mbarë bota, përfshirë udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Australisë dhe Koresë së Jugut. “Së pari, po u bëj të ditur se Amerika është rikthyer. Do të rikthemi në lojë. Amerika nuk është e vetme.” Zotit Biden i ka telefonuar edhe Kryeministri i Britanisë Boris Johnson, një aleat i ngushtë i Presidenti Trump. Ai u pyet nëse kishte ndonjë këshillë për mikun e tij që po refuzon rezultatin.

“Kam patur marrëdhënie të mira me presidentin e mëparshëm, nuk e mohoj këtë. Është detyrë e të gjithë kryeministrave britakinë që të kenë marrëdhënie të mira me Shtëpinë e Bardhë.” Ekspertët thonë se disa në komunitetin diplomatik janë shtangur nga refuzimi i zotit Pompeo për të njohur rezultatin e zgjedhjeve dhe për të filluar procesin e tranzicionit dhe se ky turne nuk do të jetë udhëtim fitoreje për të. Brian Katulis është me Qendrën për Përparim Amerikan.

“Mendoj se Sekretari Pompeo do të ketë një lloj statusi të pafuqishëm. Shumica e vendeve dhe diplomatëve, me të cilët kam folur, janë më të interesuar të flasin me ekipin e ri dhe jo ekipin që po largohet.” Zoti Biden është zotuar të rikthehet tek marrëveshja e Parisit për klimën si dhe marrëveshja bërthamore me Iranin, mes ndryshimeve të tjera të mëdha që priten./VOA

Top Channel