“Nuk e njoh Biden-in”/ Pompeo niset në turne jashtë vendit

15/11/2020 11:44

Vetëm pak ditë pasi demokrati Joe Biden u shpall president i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo do të nisë një tur diplomatik jashtë kufijve, i cili e çon në Francë, Turqi dhe pesë vende të tjera.

Pompeo ka refuzuar ta njohë fitoren e demokratit. Më herët, një gazetar e pyeti kryediplomatin nëse Departamenti i Shtetit është aktualisht duke u përgatitur të angazhohet me ekipin e tranzicionit të Biden dhe nëse jo, sa e pengon vonesa një tranzicion të qetë.

“Do të ketë një tranzicion të qetë në një administratë të dytë të zotit Trump. Jemi gati. Bota po shikon se çfarë po ndodh këtu. Do të numërohen të gjitha votat. Kur procesi të përfundojë, do të zgjidhen anëtarët e Kolegjit Elektoral. Ekziston një proces i përcaktuar mjaft qartë në Kushtetutë,” u përgjigj Pompeo.

Kur u pyet për këtë koment, Joe Biden qeshi. Demokrati i hodhi poshtë shqetësimet që Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen, ndërsa tha se kishte marrë telefonata urimi nga një numër udhëheqësish aleatë nga mbarë bota, përfshirë udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Australisë dhe Koresë së Jugut, ndërsa thotë se ka marrë një telefonatë edhe nga Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, i cili është aleat i ngushtë i Trumpit.

Top Channel