Në mbështetje të Trump-it/ Marshim gjigant në Washington

15/11/2020 10:14

Me thirrjet “edhe katër vite të tjera”, mijëra vetë zbritën në rrugët e Washington-it, në mbështetje të presidentit Donald Trump, duke ia faturuar manipulimeve me votat humbjen e tij në zgjedhje, që e detyron ta lërë Shtëpinë e Bardhë pas vetëm një mandati në krye të saj.

“Presidenti më i mirë që kemi pasur ndonjëherë” dhe “ Trump 2020- ta mbajmë Amerikën madhështore”, shkruhej në disa prej pankartave që mbanin tubuesit në duar.

Trump-i vetë kaloi me autokolonën e tij duke i buzëqeshur përkrahësve të vet. Protesta ishin mbajtur më herët edhe përpara Gjykatës Supreme nga amerikanë që besojnë se diçka nuk shkoi siç duhet në 3 nëntor.

“Erdha këtu sepse besoj te Kushtetuta, ashtu siç besoj se ajo që ndodhi në këto zgjedhje, nuk ishte e ndershme”, tha Kenda Van Wieringen, mbështetëse e Trump-it.

Përpjekjet ligjore të Presidentit Donald Trump për të zhbërë fitoren e projektuar të demokratit Joe Biden, u zbehën të premten pasi gjykatat refuzuan akuzat për parregullsi në votim dhe për mashtrim. Një gjykatës në Miçigan refuzoi një kërkesë të mbështetësve të Partisë Republikane për të parandaluar certifikimin e rezultatit zgjedhor në zonën përgjithësisht demokrate të Detroid-it, duke ulur kështu edhe shanset për një padi tjetër të ngjashme të paraqitur nga ekipi elektoral i Presidentit Trump.

Në Pensilvani, një tjetër gjykatës refuzoi disa padi të ekipit elektoral të Presidentit Trump për vlefshmërinë e  mijëra votave të ardhura me postë. Ndërkohë në Arizona, ekipi elektoral i Presidentit Trump tërhoqi padinë për rezultatin zgjedhor duke pranuar kështu se avantazhi i Biden ishte shumë i madh për t’u tejkaluar. Të treja këto janë ndër gjashtë shtetet ku Presidenti Trump dhe mbështetësit e tij kanë paraqitur padi gjyqësore për rezultatet ndërsa projeksionet tregonin se Biden kishte fituar bindshëm zgjedhjet, duke siguruar mjaftueshëm mbi 270 votat e Kolegjit Elektoral që nevojiten për të pretenduar fitoren.

FOTO GALERI
2/11

Top Channel