Mustedanagiç: Kemi brez shumë të mirë, edicionin e ardhshëm synojmë kualifikimin

15/11/2020 00:40

Me Alban Bushin në karantinë, Xhemal Mustedanagic ka marrë vendin e trajnerit të përkohshëm të Shqipërisë U21, të cilën e drejtoi me sukses ndaj Kosovës dhe tashmë dëshiron të bëjë të njëjtën gjë në transfertën ndaj Anglisë.

Në një intervistë për mediat, Mustadanagic vlerësoi paraqitjen e kuqezinjve në përballjen me Kosovën, ku nuk ngurroi të evidentojë edhe disa emra, ndërsa theksoi se në edicionin e ardhshëm shpresat do të synojnë kualifikimin.

Ju kënaqi paraqitja dhe fitorja me Kosovën?
Ekipi Kombëtar i U-21 ka luajtur një ndeshje perfekte sidomos me pjesën e parë kur kemi shënuar. Kemi pasur disa mundësi, Çokaj shënoi me një kros të bukur dhe realizoi me kokë. Unë mendoj që kemi të bëjmë me një brez që do japin rezultat shumë shpejt, janë djem të rinj me ambicie dhe të motivuar, ndaj japin gjithçka. Hap pas hapi po arrijmë të kërkojmë rezultatet e duhura. Duke parë objektivisht po marrim rezultate pozitive, është gjithçka e koordinuar me Presidentin Duka dhe zotin Reja, kemi lojtarë në ekipin A që shkojnë nga U-21, më vjen mirë ajo që kam thënë vite më parë tashmë po realizohet. Shqipëria do të jetë një pjesë e rëndësishme e futbollit evropian. Shumë gjëra po ndryshojnë dhe po ecim në pikën e duhur.

A ka vend për eufori pas tre fitoresh radhazi në grup?
Unë mendoj se krahasuar më parë, edhe mendësia e lojtarëve ka ndryshuar, ata çdo ndeshje futen për ta fituar. Ne duhet t’i nxisim që çdo ndeshje të fitojmë. Edhe në ciklin e eliminatoreve që fillon vitin e ardhshëm, disa lojtarë luajnë që tani me U-21. Ndryshojnë shumë gjëra që sjellin rezultate pozitive. Janë lojtarë të rinj që kanë ndryshime nga ndeshja në ndeshje po ashtu edhe në mendim. Nuk i druhem këtij brezi, mund të ndodhë që të jetë një ditë e keqe, por do të jenë të pakta.

Kush ju pëlqeu më shumë në ndeshjen me Kosovën?
Duhet të përmend Çokaj, i cili në të ardhmen do të vlejë për Kombëtaren. Më ka befasuar Sota me një lojë shumë të mirë, duhet të përmend të riun Mitraj, i cili është vetëm 17 vjeç. Por mund të them që të gjithë lojtarët kanë luajtur mirë. Janë të gjithë djem të mirë dhe me karakter, ndaj besoj shumë te futbollistët shqiptar.

A besoni te suksesi në Angli?
Është një pyetje e vështirë. Eksperiencën time si ish-lojtar apo tani si trajner ia kam përcjellë ekipit që askush nuk është i pamposhtur, nëse gjithsecili jep gjithçka, në lojë ndodhin të gjitha. Edhe nëse barazojmë apo fitojmë nuk është befasi. Ka ndryshuar shumë mënyra organizimit dhe e lojës, duhet kohë për tu përshtatur, nuk duhet eufori por vazhdimësi. Futbolli është një proces. Jemi të duruar për një rrugë të mbarë.

A jeni i kënaqur me kualifikueset e Shqipërisë U21?
Rezultati përsa i përket pikëve, punës së bërë dhe lojës, dua të theksoj se jemi në rrugën e duhur. Dua të theksoj se jam krenar për lojtarët, si ata që luajtën ndaj Kosovës, por edhe për brezin, që do të përfaqësohet në eliminatoret e ardhshme. Strategjia jonë është për të zhvilluar lojtarë të rinj për ekipin kombëtar A, shikoj që në eliminatoret e radhës, Shqipëria U-21 do të luajë për kualifikim. Edhe njëherë dua ta përsëris që cikli i ri do jetë e ardhmja e kombëtares”

Top Channel