Gjermani, rritje e krimit të organizuar nga Shqipëria dhe Kosova

15/11/2020 13:48

Raporti i Entit Federal të Kriminalistikës në Gjermani tregon një rritje të krimit të organizuar nga Shqipëria dhe Kosova në vend.

Tregtia ilegale e drogës, kryesisht importi i kokainës nga Ekuadori, dhe shpërndarja nëpër Gjermani, e deri diku edhe prodhimi i kanabisit përbënin 93% të aktivitetit të krimit të organizuar shqiptar në Gjermani, thuhet në pasqyrën vjetore të entit, ku nënvizohet gjithashtu se fushat e tjera të aktivitetit kriminal përfshijnë krimet e pronësisë dhe falsifikimin e dokumenteve.

Shqiptarët edhe në vitin 2019 vijojnë të jenë në krye të listave për pjesëmarrje në strukturat e krimeve të organizuara. Nga 202 grupime të identifikuara për trafik droge, vitin që shkoi, 29 ishin të dominuara nga shqiptarët. Numri i grupimeve shqiptare aktive në tregtinë e drogës për 2019-ën renditet kështu i dyti në listë pas vetë gjermanëve me 66.

Ndërkohë, në statistikat e Entit Federal të Kriminalistikës përmenden vetëm rastet e kapura nga policia, thotë DW. Të ardhurat nga krimi i organizuar me shtetësi shqiptare janë rritur po ashtu. Në vitin 2018,  xhiroja  e grupimeve shqiptare ka qenë mbi gjashtë milionë euro, por vitin që shkoi është më shumë sesa dyfishuar, duke mbërritur në mbi 13,5 milionë euro. Edhe numri i kosovarëve të dyshuar për vepra penale të krimit të organizuar është rritur në 198. Fushat e krimit në rastin e tyre janë  falsifikimet, tregtia e drogës dhe vjedhjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA