Covid shënon rekord viktimash në Greqi, infektohen 1698 persona të tjerë

15/11/2020 18:45

Greqia ka regjistruar numrin më të lartë të viktimave për 24 orë, prej fillimit të pandemisë. 71 persona kanë humbur jetën gjatë ditës së diel duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga koronavirusi në 1106.

Rritje rekord ka pësuar edhe numri i pacientëve në intubim duke shkuar në 392. Nga 1698 të infektuar në 24 orët e fundit përsëri më të shumtit , 435, janë gjetur në Selanik dhe 405 në Athinë.

Në total në Greqi numri i të prekurve ka shkuar në 74205.

Sipas organeve shëndetësore do të duhet edhe të paktën një javë që të duket nëse masat e marra me mbylljen e përgjithshme të vendit, do të sjellin reduktim të rasteve.

Qeveria greke madje ka ndaluar me urdhër të posaçëm edhe gjithë ceremonitë për përvjetorin e 17 Nëntorit, ditës së lëvizjes studentore të Politeknikut të Athinës, kundër juntës së kolonelëve në vitin 1973, akt që ka ngjallur reagimin e partive të majta opozitare.

Ndërkohë  më shumë se 1800 nuse lale nga një ferme në Kozan janë vrarë me eutanasi  dhe janë groposur në një vend të veçantë ,pasi janë zbuluar se janë infektuar me koronavirus dhe pritet të veprohet me të njëjtën mënyrë edhe për 700 të tjera.

Autoritetet po presin rezultatet e testeve për katër ferma me gati 35000 kafshë pëllushi dhe thuhet se në të paktën një prej tyre ka nuse lale të infektuara. Në gjithë Greqinë e veriut  ka më shumë se 80 ferma të tilla ,45 në Kozan dhe 35 ne Kostur e Grevena. /Aleksandër Marku/

Top Channel