Ç’ndodh tani me murin kufitar të Donald Trump-it

15/11/2020 14:09

Joe Biden, i parashikuar të bëhet presidenti i 46-të i Amerikës në janar është zotuar ta ndalojë ndërtimin e murit të shumëdiskutuar përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, një nga projektet kryesore të axhendës së Presidentit Donald Trump.

Agjentët federalë të sektorit Laredo të Teksasit vëzhgojnë më shumë se 270 kilometra vijë kufitare mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, ndërsa planet e miratuara parashikojnë ndërtimin e rreth 113 kilometrave mur në këtë zonë.Shefi i Patrullës që vëzhgon kufirin në sektorit e Laredos, Matthew Hudak, tha për VOA-n se muri do të ndihmonte në luftën kundër grupeve kriminale që trafikojnë njerëz dhe zhvillojnë kontrabandë në Shtetet e Bashkuara.

“Me ngritjen e murit ne u heqim përfitimet këtyre organizatave kriminale. Ato janë para që nuk do të shkojnë në Meksikë për të blerë armë, municione e të përdoren për të viktimizuar fqinjët tanë përtej kufirit”, shprehet ai.

Biden sqaroi se nuk do të rrëzojë pjesë tashmë të ndërtuara të murit nga administrata Trump, ndërsa zotohet që gjatë administratës së tij të mos ndërtohet asnjë metër tjetër i murit. Por deri në 20 janar kur ai bën betimin, president do të vazhdojë të jetë Trumpi. Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit thonë se deri në fund të vitit 2020, synimi është që në kufi të ndërtohen 724 kilometra mur.

Top Channel