Mossadi izraelit ka vrarë zv. kreun e Al-Kaeda që fshihej në Iran/ Raporti

14/11/2020 19:36
Abu Muhammad al-Masri (majtas), atentati ndaj ambasades SHBA ne 1998

Një raport i publikuar së fundmi thotë se i dyti në komandë i grupit militant Al Kaeda, është vrarë nga agjentë izraelitë për llogari të Shteteve të Bashkuara në Iran.

New York Times raporton se Abdullah Ahmed Abdullah, i njohur gjithashtu si Abu Muhammad al-Masri, është vrarë në gusht në Teheran nga dy burra në motoçikletë, të cilët ishin operativë të shërbimeve sekrete izraelite Mossad.

Al-Masri besohet se ishte pasuesi i liderit aktual të Al-Kaeda, Ayman al-Zawahri, dhe ishte arratisur në 6 gusht 1998 nga Kenia për të udhëtuar drejt Pakistanit, ku ishte fshehur për rreth 20 vjetët e fundit.

Mediat amerikane thonë se ai u vra bashkë me të bijën, e cila ishte e martuar me të birin e  Osama bin Laden, Hamza bin Laden.

Al-Masri raportohet se ka qenë organizator i atentatit me bombë në 1998 të dy ambasadave amerikane respektivisht në Kenya e Tanzani, ku u vranë 224 njerëz.

New York Times thotë se katër zyrtarë të paemëruar të inteligjencës thanë se atentati u krye për llogari të SHBA, të cilët prej vitesh e kërkonin atë.

Al-Masri ishte në listën e ‘më të kërkuarve të FBI’ me shpërblim $10 milionë për informacione ose eliminim.

New York Times shkruan se Al-Masri ishte ndaluar në Iran në 2003, por ishte liruar në këmbim të lirimit të një diplomati iranian të marë peng në Jemen.

Al Kaeda nuk ka pranuar publikisht vrasjen e tij dhe as SHBA nuk pranon zyrtarisht përfshirjen.

Top Channel