Irani mohon se Izraeli ka vrarë udhëheqësin e lartë të Al-Kaidës në Teheran

14/11/2020 22:10

Irani ka mohuar raportet e New York Times se komanda e dytë e Al-Kaidës u vra në tokën iraniane nga agjentët izraelitë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, e quajti raportin “të rremë”, duke theksuar se grupi terrorist nuk ka asnjë prani në Iran.

“Kohë pas kohe, Washingtoni dhe Tel Avivi përpiqen ta lidhin Iranin me grupe të tilla duke gënjyer dhe nxjerrë informacion të rremë në media, në mënyrë që të shmangin përgjegjësinë për aktivitetet kriminale të këtij grupi dhe grupeve të tjera terroriste në rajon”, tha Khatibzadeh.

Të premten, New York Times raportoi se i dyti në komandë i Al-Kaidës, Abdullah Ahmed Abdullah, i njohur si Abu Muhammad al-Masri, u vra në muajin gusht në një zonë të Teheranit nga agjentët izraelitë me urdhër të SHBA-ve.

Sipas gazetës amerikane, al-Masri ishte një nga organizatorët e bombardimeve të vitit 1998 të ambasadave të SHBA-ve në Tenzani dhe Kenia.

Khatibzadeh tha se raporti i mediave ishte pjesë e një “lufte gjithëpërfshirëse ekonomike, të intelegjencës dhe psikologjike kundër popullit iranian” dhe kishte për qëllim “të tregonte një lidhje midis grupit terrorist dhe Iranit”.

Në qershor të vitit të kaluar, zyrtarët e administratës amerikane folën për “lidhje alarmante” midis Iranit dhe Al-Kaidës gjatë njoftimeve në Kongresin Amerikan.

Zyrtarët iranianë kanë pohuar se grupi terrorist nuk ka prani në tokën iraniane dhe akuzat i kanë quajtur “një përpjekje për të ndërtuar një çështje për luftë kundër Iranit”./aa/

Top Channel