Vuçiç kërcënon me luftë/ Kosova kërkon reagimin e BE dhe NATO-s. Majko: Deklaratë e papërgjegjshme

13/11/2020 02:02

‘Zgjidhja më e mirë e mundshme midis Serbisë dhe Kosovës është përmes dialogut, në të kundërtën, mund të shihet një konflikt i llojit të Nagorni Karabakut’.

Kjo është deklarata e bërë nga presidenti serb, Aleksander Vuçiç, paraditen e të enjtes, që ka nxitur një mori reagimesh në Kosovë dhe jashtë saj. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, tha se pret që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të reagojnë ndaj “kërcënimit” të Vuçiçit për “luftë të dhunshme”, ndërsa kryeministri Avdullah Hoti tha se deklarimet e presidentit të Serbisë nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ndërsa ministri i diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, e konsideroi deklaratën të papërgjegjshme.

“Deklarimi i Presidentit të Serbisë për karakterizimin e marrdhënieve me shtetin e Kosovës me statusin e konfliktit të ngrirë të Nagorni Karabak është i papërgjegjshëm. Jeta e dyfishtë e Serbisë në marrdhëniet ndërkombëtare është rreziku real për stabilitetin rajonal! Presidenti Vuçiç përcaktoi se konflikti me shqiptarët nuk ka mbaruar ende dhe e konsideron atë “të ngrirë”.

Për Majkon, deklarata e Vuçiç përbën shmangie nga marrëveshja e firmosur në Shtëpinë e Bardhë dhe procesi i integrimit evropian. Aleanca e NATO-s në anën tjetër, nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e Vuçiç, por ka konfirmuar se ajo vazhdon të mbështesë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe e konsideron atë zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajon.

Top Channel