Studimi/ Teoritë e konspiracionit dëmtojnë besimin te vaksina e Covid-19

13/11/2020 02:24

Teoritë e konspiracionit dhe keqinformimi nxisin mosbesimin tek vaksinat dhe mund të ulin nivelet e vaksinimit për COVID-19-n në SHBA dhe Britani nën normat e nevojshme për të mbrojtur komunitetet ndaj sëmundjes, thuhet në një studim të publikuar të enjten.

Studimi, ku morën pjesë 8,000 njerëz nga të dyja vendet, zbuloi se më pak njerëz do ta “bënin patjetër” vaksinën sesa vlerësimi i shkencëtarëve, sipas të cilëve është e nevojshme që vaksinën ta marrë 55% e popullsisë për të siguruar të ashtuquajturin “imunitet të turmës”.

Në studimin për keqinformimin, 3,000 persona të anketuar në secilin vend u ekspozuan gjerësisht midis qershorit dhe gushtit ndaj njoftimeve keqinformuese në mediat sociale për vaksinën e koronavirusit. Ndërkaq, 1,000 personave të tjerë në secilin vend iu treguan informacione faktike në lidhje me vaksinën. Para se të ekspozoheshin ndaj keqinformimit, 54% e këtyre personave në Britani thanë se ata “patjetër” do ta bënin vaksinën, ashtu si 41,2% në Shtetet e Bashkuara.

Por pas shfaqjes në internet të dezinformimit, shifrat ranë me 6.4 përqind në Britani dhe 2.4 përqind në Shtetet e Bashkuara. Studimi nxjerr në pah se në të dyja vendet, njerëzit pa diplomë universitare, ata që bëjnë pjesë në grupet me të ardhura të ulëta dhe jo të bardhët kanë më shumë gjasa ta refuzojnë vaksinën. Gratë, sipas studimit, kanë më shumë të ngjarë se burrat ta refuzojnë vaksinën për koronavirusin.

Megjithatë, një numër më i madh të anketuarish në të dyja vendet thanë se do ta merrnin vaksinën nëse do të ishte fjala për të mbrojtur familjen, miqtë ose grupet e rrezikuara të popullatës.

Top Channel