SHBA, zyrtarë zgjedhorë: Nuk ka dëshmi për manipulime

13/11/2020 10:39

Zyrtarët e lartë federalë dhe shtetërorë amerikanë, që janë përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve, deklaruan se nuk ka “asnjë dëshmi” që votimet në zgjedhjet e 3 nëntorit të jenë manipuluar apo kompromentuar.

Përmes një deklarate, zyrtarët e sigurisë kibernetike dhe zyrtarët zgjedhorë, hodhën poshtë pretendimet e presidentit Donald Trump dhe të disa republikanëve se ka pasur mashtrime zgjedhore, që çuan në fitoren e demokratit Joe Biden.

“Nuk ka prova se ndonjë sistem i votimit fshiu, humbi votat apo ndryshoi votat”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Departamenti për Siguri Kibernetike dhe Agjencia për Siguri të Infrastrukturës. Autorë të kësaj deklarate janë edhe presidentët e Asociacionit të drejtorëve të zgjedhjeve shtetërore dhe të Asociacionit kombëtar të sekretarëve të shtetit – të cilët janë përgjegjës për zgjedhjet në nivel shtetesh – si dhe anëtarë të komunitetit koordinues të qeverisë, që koordinojnë këshillet, ku përfshihen të gjithë shitësit kryesor të pajisjeve kryesore të votimit.

Publikimi i kësaj deklarate erdhi disa orë pasi Trump sërish postoi në Twitter nje mesazh ku thoshte se pajisjet e votimit kanë “fshirë” 2,7 milionë vota në mbarë vendin dhe kanë ndryshuar qindra-mijëra vota në favor të Bidenit në Pensilvani dhe në disa shtete të tjera kyçe, ku ai ka humbur. Që kur mediat e mëdha e shpallën Bidenin fitues në 7 nëntor, Trumpi ka nisur betejat ligjore me shpresën se mund  të përmbyset rezultati zgjedhor.

Top Channel