Rritja e ekstremizmit/ BE: Nga dështimi i integrimit

13/11/2020 22:20

Rritja e ekstremizmit të dhunshëm në Evropë është lidhur me dështimin në integrimin e emigrantëve, thuhet në një deklaratë të përbashkët të shumëdebatuar të qeverive të vendeve të BE pas sulmeve më të fundit terroriste.

Deklarata e ministrave të brendshëm të vendeve anëtare, u konsiderua nga ministri i brendshëm gjerman Horst Seehofer, si një shenjë e madhe solidariteti por sidoqoftë, ajo ndryshoi në një masë të madhe krahasuar me draftin fillestar.

Pas një javësh mosmarrëveshje në lidhje me përmbajtjen e deklaratës së propozuar, të kërkuar nga Franca, Austria dhe Gjermania, referencat ndaj islamit u hoqën bashkë me kërkesën që emigrantët e rinj të mësojnë gjuhën në vendet e tyre të reja dhe të sigurojnë vetë jetesën.

Vendet anëtare sidoqoftë nënvizuan nevojën për të përmirësuar kohezionin social në Evropë, në kuadër të reagimit të saj ndaj një serie sulmesh terroriste në Paris, Dresden, Nicë dhe Vjenë.

“Integrimi është një rrugë me dy drejtime”, thuhet në deklaratë. “Kjo do të thotë që emigrantët pritet të përpiqen në mënyrë aktive për tu integruar ndërsa ndihma në këtë drejtim është e rëndësishme. Deklarata u lëshua në përvjetorin e pestë të sulmeve në Paris, në teatrin e Bataclanit dhe jashtë ‘Stade de France’.

Top Channel