Pandemia në Evropë/Optimizëm i matur në disa vende

13/11/2020 18:28

Disa vende evropiane kanë sinjalizuar progres në luftën kundër koronavirusit edhe pse kufizimet ndaj pandemisë mbeten në fuqi në kontinent.

Franca ka parë që shifrat të bien me afro 16 për qind këtë javë, krahasuar me fundin e tetorit dhe shkalla e infektimit ka rënë nën 1, nga 0.8 deri në 0.9. Nëse tendenca e rënies vazhdon, kulmi i valës së dytë, sipas kryeministrit francez, do të arrihet javën e ardhshme. Pavarësisht tendencës, kryeministri tha se do të ishte e papërgjegjshme heqja apo zbutja e kufizimeve në këtë moment.

Vendi hyri në izolim të dytë më 30 tetor. Situata në Gjermani është pak a shumë e njëjtë. Vendi ka qenë nën izolim të pjesshëm që nga 2 nëntori dhe tani po regjistron një sheshim të kurbës së infektimeve. Por qeveria mbetet e kujdesshme. Numri i rasteve të reja të koronavirusit të premten në gjermani arriti një rekord të ri, 23.542.

Një zëdhënës i kancelares Angela Merkel tha të premten se gjermania nuk është ende në pozicion për të folur për një kthesë.

Gjermania nuk është ende në pozicionin e duhur për të zbutur kufizimet e koronavirusit”, tha Steffen Seibert. Belgjika ka shënuar një rënie të rasteve të reja dhe shtrimeve në spital këtë javë po ashtu.

Në Spanjë, kryeqyteti Madrid, po heq kufizimet strikte në 10 nga 41 distriktet për shkak se shkalla e infektimeve ka rënë dhe në republikën ceke, shkollat po rihapen për nxënësit e klasave të para dhe të dyta, duke filluar nga java e ardhshme. Por në Itali, situata është pak më e komplikuar. 40902 raste të reja dhe 550 viktima u raportuan nga autoritetet për 24 orët e shkuara. Po ashtu është rritur edhe numri i pacientëve në terapi intensive.

 

Top Channel