Maqedonia e Veriut regjistron 1.064 të infektuar dhe 25 të vdekur me COVID-19

13/11/2020 19:52

Maqedonia e Veriut të premten ka regjistruar 25 persona të vdekur nga COVID-19, ndërsa 1.064 të infektuar dhe 507 të shëruar, bazuar në raportin e Institutit të Shëndetit Publik që i referohet 3.096 testeve të bëra në 24 orët e fundit.

Viktimat janë: pesë në Kumanovë, katër në Veles, nga tre në Shkup dhe Tetovë, dy në Prilep dhe nga një në tetë qytete tjera.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve ka arritur 1.263 persona, shumica prej të cilëve janë nga Shkupi.

Në mesin e të vdekurve është edhe Shukri Fazliu, mjek specialist, 49 vjeç nga Kumanova, i cili vdiq në Klinikën Infektive në Shkup pas përkeqësimit të gjendjes të shkaktuar nga COVID -19.

Që nga paraqitja e pandemisë, në Maqedoninë e Veriut nga COVID-19 jetën e kanë humbur 12 mjekë.

Sa i përket të infektuarve, sipas Institutit të Shëndetit Publik, Shkupi sërish mbetet qytetit me numrin më të lartë të të infektuarve, më 541 të diagnostikuar ditën e premte.

Në Klinikën Infektive në Shkup dhe qendra tjera shëndetësore janë të shtruar mbi një mijë persona, shumica prej të cilëve janë në oksigjeno-terapi.

Deri më tani në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostikuar 44.898 persona, prej tyre 26.289 janë shëruar, ndërsa raste aktive janë 17.346 persona.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se pret që në dy javët e ardhshme, masat në fuqi për mbrojtje nga COVID-19 të japin efektet e para dhe numri i të infektuarve me COVID-19 të stabilizohet.

“Ne presim që në periudhën që kemi përpara, në dy javët e ardhshme, të shohim efektet e masave kufizuese. Ne presim që numri i pacientëve të diagnostikuar të stabilizohet dhe të ulet numri i të infektuarve, tha Filipçe./REL/

Top Channel