Mungesa e eksperiencës nga ana e Andrea Pinamontit dhe problemet e vazhdueshme fizike të Alexis Sanchez kanë bërë që drejtuesit e Interit të vihen në lëvizje për të afruar një tjetër futbollist në repartin e avancuar.

Kështu pasi provuan pa sukses të marrin në tetor futbollistin nga Bregu i Fildishtë, Gervinho, zikaltrit tani kanë kthyer sytë nga një tjetër sulmues, 26-vjeçarin e Napolit, Arkadiuz Milik.

Ky i fundit ka prishur marrëdhëniet me klubin e De Laurentiis, pasi ka refuzuar rinovimin dhe për këtë arsye nuk është federuar në asnjë kompeticion për këtë sezon, megjithatë palët janë duke negociuar ndërprerjen e bashkëpunimit që në janar.

Kjo pasi De Laurentiis do të shmangte largimin e sulmuesit me parametra zero verën e ardhshme dhe vetë Milik nuk do të rrezikonte Kampionatin Europian, pasi një sezon në tribunë do ta bënte të pamundur grumbullimin e tij në kombëtare.

Në këtë situatë kërkon të përfitojë Interi, që i ka ofruar Napolit shkëmbimin e polakut Milik me mesfushorin uruguaian Matias Vecino. Ky i fundit nuk bën pjesë në planet e Contes, por vlerësohet shumë nga Gattuso, që e kërkoi edhe gjatë verës së kaluar.

Nga ky operacion të dy klubet do të dilnin të fituara, pasi Interi do të afronte një sulmues cilësor, që mund të zëvendësojë si Lukakun, ashtu edhe Lautaron, ndërsa Napoli do të afronte një mesfushor me eksperiencë në kampionatin italian.

Top Channel