Me ritme të shpejta vazhdon boshatisja e klinikave të tjera dhe kthimi i tyre në pavione Covid-19 në qytetin e Selanikut, qytet në të cilin tashmë edhe pse 12 ditë në karantinë , virusi vrastar ka gjunjëzuar tërësisht sistemin spitalor.

Edhe në 24 orët e fundit prej 3.038 rasteve që janë regjistruar në Greqi, 725 janë vetëm në Selanik dhe 697 në Athinë, ndërsa veçohen për numër të madh edhe Larisa dhe Pella, aty ku autoritetet po zhvillojnë mijëra teste në ditë , të ashtuquajtuara teste të shpejta.

Edhe gjatë së premtes, 38 persona kanë humbur jetën duke e çuar numrin e viktimave prej fillimit të pandemisë në gati 1000, ndërsa edhe të intubuarit kanë shkuar në 336.

Ndërsa pritet në orët e ardhshme të merret një vendim në se do të mbyllen ose jo shkollat fillore dhe kopshtet, autoritetet shëndetësore në Kozan dhe zona të tjera të Greqisë së Veriut do të vrasin qindëra mijëra vizonë ,pasi janë gjetur në fermat e rritjes se tyre, të infektuar me virusin në fjalë, ndërsa deri tani nuk vihet re që ky virus të ketë pësuar mutacion tek to.

Aleksandër Marku

Top Channel