Gjermani, ish-anëtari i CDU-së Todenhofer themelon parti politike

13/11/2020 11:34

Jurgen Todenhofer, politikani 80-vjeçar gjerman, i cili u largua nga Unioni Kristian-Demokratik (CDU) i kancelares Angele Merkel, themeloi parti politike.

Pasi njoftoi themelimin e partisë, Todenhofer tubimin e parë e organizoi para portës së Bradenburgut në Berlin

“Gënjeshtra dhe dhuna janë kthyer në mjete të zakonshme të cilat përdoren në politikën gjermane”, tha Todenhofer, duke drejtuar kritika të ashpra për partitë dhe politikanët në Gjermani.

Todenhofer gjithashtu kundërshtoi dërgimin e trupave gjermane në misionet ndërkombëtare, duke pohuar se dërgimi i trupave në misione të tilla vetëm përmbush interesin e SHBA-së për t’u bërë fuqi botërore.

Ai theksoi se me angazhimin e tij dëshiron të ndërpresë praktikën e bërjes së dallimit midis emigrantëve dhe gjermanëve nga lindja.

“Të gjithë jemi gjermanë me të drejta të njëjta. Nuk ka gjermanë të kategorisë së parë dhe të dytë”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se duhet kundërshtuar më fort racizmi në Gjermani, duke shtuar se qeveria gjermane tashmë ka humbur ndjeshëm besueshmërinë.

Partia që ai themeloi do të quhet “Team Todenhöfer” (Ekipi Todenhofer) dhe është planifikuar të kandidojë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Todenhofer ka lindur në Offenburg, tani i njohur si Baden-Wurttemberg, dhe ka studiuar për drejtësi në universitetet e Mynihut, Parisit, Bonit dhe Freiburgut. Ai doktoroi në drejtësi në vitin 1969 dhe ka punuar si gjyqtar që nga viti 1972.

Ai ishte gjithashtu një anëtar i CDU-së nga 1972 në 1990 dhe më vonë punoi si gazetar dhe ka botuar një numër të madh librash për Lindjen e Mesme./AA/

Top Channel