G20 publikon kornizën për lehtësim të borxheve për shtetet e varfra

13/11/2020 17:46

Vendet e G20-ës u pajtuan të premten për një kornizë përmes të cilës, do të ristrukturohet borxhi i shumë vendeve në zhvillim që janë rrënuar ekonomikisht nga koronavirusi. Por, ata që bënë fushatë në favor të këtij veprimi thonë se nuk është i mjaftueshëm për të lehtësuar ‘valën e krizës së borxheve’.

Ky grup i shteteve më të fuqishme financiare në botë, muajin e kaluar u pajtua për një zgjatje prej gjashtë muajsh të iniciativës për ‘suspendim të borxhit’ deri në qershorin e vitit të ardhshëm, që nuk është në pajtim me thirrjen e Bankës Botërore që kjo periudhë të zgjatet për një vit.

Ministrat e Financave të shteteve anëtare të G20-ës dhe bankat qendrore prezantuan ‘kornizën e përbashkët’ për riplanifikim ose për të ulur borxhet e vendeve që janë në rrezik, përmes qasjes ‘rast pas rasti’.

“Në parim, borxhet nuk do të falen”, thuhet në deklaratën e përbashkët pas takimit virtual të mbajtur nën presidencën e Arabisë Saudite.

“Në rastet më të vështira, kur falja e borxheve apo suspendimi është i nevojshëm, kjo do të trajtohet si çështje e veçantë, pasi që secili kreditor pjesëmarrës të përmbushë në kohë procedurat kombëtare për aprovim duke i mbajtur të informuar kreditorët e tjerë për progresin”, thuhet në deklaratë.

Në bazë të këtij vendimi, janë 73 shtete që mund të përfitojnë një ristrukturim të borxhit, duke përfshirë, 38 shtete në Afrikën sub-Sahariane.

Muajin e kaluar, Banka Botërore tha se borxhi i 73 vendeve më të varfra u rrit për 9.5% me një rekord prej 744 miliardë dollarësh.

Barra më e madhe e këtyre borxheve janë te kreditorët qeveritar, shumica nga të cilat janë shtete të G20-të, e nga ku Kina ka rreth 63% të kësaj shume.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA