Në kampionat ka regjistruar dy suksese me rezultatin 2-0, ndërsa në Kupën e Shqipërisë Vllaznia vijon të fitojë me goleada, sepse pas triumfit 7-0 në fazën e 1/16-ave ndaj Devollit, sot mposhti me rezultatin e thellë 8-0 Elbasanin dhe u kualifikua për në çerekfinale.

Shkodranët e drejtuar nga gjermani Thomas Brdaric po konfirmojnë se janë ekipi më në formë në Superiore, pasi kanë regjistruar 4 fitore në po kaq ndeshje zyrtare të zhvilluara në harkun e dy javëve të fundit.

Pasditen e sotme në “Loro Boriçi”, kuqeblutë nuk e vunë për asnjë moment në dyshim fitoren, pasi zhbllokuan rezultatin që në minutën e katërt me anë të të zakonshmit tashmë, boshnjakut Haris Dilaver.

Në minutën e 15’ ishte Demir Imeri që ekzekutoi saktë një 11-metërsh dhe dyfishoi shifrat, ndërsa më pas Ismael Dunga dhe sërish sulmuesi shqiptar nga Maqedonia e Veriut fiksuan rezultatin 4-0 në 45-minutëshin e parë.

Në pjesën e dytë trajneri Brdaric bëri disa ndryshime në formacion, por skuadra shënoi edhe 4 gola të tjerë, dy me anë të fantazistit brazilian Da Silva dhe dy me anë të sulmuesve Mandiangu e Çoba, që debutuan me gol me fanellën kuqeblu.

Shkodranët kalojnë kështu në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, një kompeticion që pritet të respektohet maksimalisht nga ata këtë sezon, ndërsa tani mund të nisin përgatitjet për klasiken e futbollit shqiptar, ndeshjen ndaj Tiranës në fundjavën e ardhshme.

Top Channel