Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi si “histerike” reagimet e autoriteteve të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic, i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt nëse përpjekjet për paqe dështojnë.

Vucic deklaroi  se zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut, në të kundërtën, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorni Karabakut. Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që Bashkimi Europian dhe NATO-ja të reagojnë ndaj “kërcënimit” të Vuçicit për “luftë të dhunshme”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se komentet e presidentit serb nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.“Kosova nuk është as Nagorni Karabak, as konflikt i ngrirë”, tha në anën tjetër Ministria e Jashtme e Kosovës, duke shtuar se “krahasimet e qëllimshme të Vuçicit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit”.

Edhe ministri i diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, e konsideroi deklaratën të papërgjegjshme. Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, u shpreh se mesazhi kryesor I kreut të shtetit serb ishte se për Serbinë dhe popullin serb, “paqja është më e rëndësishmja”.“Nëse përfaqësuesit shqiptarë në Prishtinë janë njësoj të interesuar për paqe, ata duhet ta mirëpresin dhe mbështesin një angazhim të tillë nga Beogradi”, tha Petkovic.

Top Channel