Astronautët përgatiten për lëshimin e dytë me SpaceX

13/11/2020 05:21

SpaceX po përgatitet për lëshimin e dytë me astronautë nga NASA pas fluturimit provë me sukses në fillim të vitit. Katër astronautë po përgatiten në Qendrën Hapsinore Kennedy për lëshimin e dytë me anijen hapsinore SpaceX të planifikuar me datën 14 nëntor.

SpaceX dhe NASA po bëjnë përgatitjet përfundimtare para nisjes drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës të planifikuar për të shtunën. Ky mision shënon fillimin e shumëpritur nga NASA të rotacionit të rregullt të ekuipazheve në stacionin hapësinor, ndërsa kompanitë private ofrojnë mjetet e transportit. Administratori i NASA-s Jim Bridenstine shprehu besimin për etapën e re të misoneve hapësinore.

“Është një hap tjetër i madh transformimi i misioneve hapësinore me njerëz. E kemi fjalën për komercializimin e hapësirës, ku NASA është një prej klientëve të shumtë në një treg komercial shumë të fuqishëm në orbitën e ulët të tokës. Po kalojmë nga fluturimi provë në fluturime operacionale. Të jemi të qartë, çdo fluturim është provë kur flitet për udhëtimet në hapësirë. Por gjithashtu duhet të jemi në gjendje që të shkojmë në mënyrë rutinore në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës”.

Ekuipazhi i përbërë nga tre amerikanë dhe një japonez do të niset të shtunën në mbrëmje nëse nuk ndikohet nga afrimi i stuhisë tropikale Eta. “Industria komeraciale amerikane e lëshimeve në hapësirë kishte zero përqind të tregut global. Por si rezultat i investimeve nga NASA mbi 70% e tregut komercial të lëshimeve hapësinore janë amerikane. Kjo nënkupton zhvillimin dhe konkurrencën amerikane, duke patur përfitimet më të mira nga çdo dollarë i investuar amerikan”, tha zoti Brindenstine.

Udhëtimi drejt stacionit hapësinor do të zgjasë më pak se nëntë orë. Astronauti japonez Soichi Noguchi është specialist i misionit. “Shkojmë në hapësirë krenarë, ndërsa kapsula e misionit tonë mban emrin “Resilience”, qëndrueshmëri, që tregon fuqinë për të mbijetuar. Misioni ynë është për të gjithë njerëzimin ndaj ne nuk mbajmë një mbishkrim në supin tonë. Të gjithë për një e një për të gjithë”. Victor Glover është pilot dhe astronaut me NASA.

“Ende nuk kam patur shansin të ulë një anije hapësinore, por e kam bërë me mjete fluturuese gjatë trajnimit. Por do të fluturoj nga këtu të shtunën. Do të jetë një moment special për mua, sepse do të nisemi mbi majën e një rakete. Një gjë e mrekullueshme”. Ekuipazhi prej katër anëtarësh do të qëndrojë në orbitë deri në pranverë, kur zëvendësuesit e tyre do të mbërrijnë në bordin e një kapsule Dragon nga SpaceX. Mjetet komerciale hapësinore të transportit do të vazhdojnë të bëjnë dërgesa të rregullta me ushqime dhe furnizime./VOA

Top Channel