Agjencia SHBA: Korea e Veriut ka 60 armë bërthamore dhe 1 milionë ushtarë gati për luftë

13/11/2020 21:54

Një raport i fundit i një agjencie analistësh të Pentagonit thotë se Korea e Veriut ka rreth 60 mbushje luftarake bërthamore dhe 1.2 milionë ushtarë gati për luftë.

Raporti i Institutit të Studimeve Strategjike shtonte më saktësisht në dokumentin “Vlerësimi Strategjik 2020” se regjimi i Kim Jong-un ka nga 15 deri në 60 armë bërthamore dhe 650 raketa balistike, me të cilat mund të godasë qytete në Korenë e Jugut e madje në Kinën Lindore.

Raporti paralajmëron se vendi “ka testuar raketa balistike që mund të godasin Shtetet e Bashkuara”, sipas agjencisë koreano-jugore Yonhap.
Së bashku me arsenalin bërthamor të Koresë së Jugut, raporti thotë se rreth 1.2 milionë ushtarë janë “të dislokuar në zonën e demilitarizuar në pozicionime ofensive”.

Mbretëria heremite ka ndërtuar armatimet e saj me anë të tregtisë dhe shkëmbimeve teknologjike me Kinën dhe Iranin, thuhet në raport.

Më herët Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Korea e Veriut është vendi i tretë në botë për zotërimin e agjentëve kimikë luftarakë, me rreth 2,500-5,000 ton nga 20 tipe të ndryshme prej tyre.

Autorët e raportit thonin se sipas taktikave koreano-veriore, shkencëtarët e Kim kanë punuar për kthimin në armë të sëmundjeve si antraks e lia, madje dhe për montimin e tyre të mundshëm në raketa kundër Koresë së Jugut apo SHBA.

Presidenti koreano-jugor Moon Jae-in dhe ai i zgjedhur në SHBA Joe Biden kanë pranuar tashmë të punojnë për zgjidhjen e çështjes bërthamore koreano-veriore.

Biden e ka përshkruar Korenë e Jugut si një ‘kollonë sigurie’ në rajon në një bisedë që ata kryen në 12 nëntor, sipas zëdhënësit të Moon, Kang Min-seok.

Moon i kërkoi Biden të “komunikojnë nga afër” për çështjen e denuklearizimit të gadishullit korean.

Top Channel