Një prej pasojave të pandemisë së Covid-19, e vënë re në pjesë të ndryshme të botës, përpos jetëve të humbura prej sëmundjes është dhe numri i vetëvrasjeve.

Një sërë faktorësh lidhen me këtë fenomen sipas revistës prestigjioze “The Lancet” duke përfshirë këtu izolimin social, papunësinë e problemet financiare. Lancet nuk përjashton as ndikimin e mbulimit mediatik të situatës, që bëhet shpesh me tone dramatike, të cilat sipas saj ndikojnë negativisht dhe mund të rrisin rrezikun e imitimit.

Në Japoni, numri i vetëvrasjeve u rrit në tetor për të katërtin muaj me radhë duke mbërritur nivelin më të lartë të pesë vjetëve, trend ky që i faturohet pikërisht impaktit ekonomik të koronavirusit. Një rritje shqetësuese e nivelit të vetëvrasjeve u vu re edhe në Britani në shtator. Ekspertët thonë se bazuar në kërkimet e tyre, pandemia ka shtuar faktorët e rrezikut për njerëzit e konsideruar si më të cënueshëm.

“Vullnetarët na thanë se po marrin gjithmonë e më shumë telefonata nga persona të shqetësuar se mund të humbasin punën, biznesin, financat, apo se nuk do të jenë në gjendje të shlyejnë kredinë, se nuk do të mbajnë dot familjet e tyre e se mund te mbeten të pastrehë”, thotë Vicki Nash e shoqatës së bamirësisë Mind.

E gjithë situata e krizës e krijuar prej koronavirusit në Itali pati ndikim të madh mbi shëndetin mendor, tregojnë studimet atje. Sara Reginella, psikologe ne Ancona i vë shumë peshë edhe ndikimit psikologjik qe ka mbyllja brenda katër mureve. Që prej fillimit të marsit, e deri në maj, 37 vetë kishin vrarë veten në Itali dhe 25 të tjerë kishin tentuar t’i jepnin fund jetës. Katër infermiere në vijën e parë të frontit kundër pandemisë u vetëvranë, në dukje për shkak të stresit të madh të përjetuar.

Frika prej sëmundjes ka bërë që tek individë të caktuar të rritet ndjeshëm niveli i ankthit, depresionit e traumës, dhe konsiderohet se për një pjesë të tyre, faktorë të tillë të shëndetit mendor, kontribuojnë fatkeqësisht shumë te vetëvrasja.

Top Channel