Republikanët marrin gjysmën e vendeve të Senatit

12/11/2020 16:47

Senatori republikan nga Alaska, Dan Sullivan, u rizgjodh të mërkurën, duke i siguruar partisë së tij të paktën 50 nga 100 vendet e senatit për dy vitet e ardhshme, ndërsa kontrolli i dhomës mbetet i paqartë deri pas shpalljes së rezultateve të balotazhit të Xhorxhias në janar.

Pas numërimit të ngadaltë të votave në shtetin më veriperëndimor të SHBA-së, agjencitë e lajmeve erdhën në përfundim se zoti Sullivan ka një epërsi të pakapërcyeshme ndaj Al Gross, kirurgut ortopedik që garoi si kandidat i pavarur me mbështetjen e demokratëve. Rezultatet e nxjerrin përpara senatorin Sullivan me një diferencë prej 20 përqind.

Sigurimi i gjysmës së vendeve në Senat nga republikanët, shton vëmendjen në garat e balotazhit që mbahen më 5 janar në shtetin jugor të Xhorxhias.

Ligjvënësit konservator republikan, seantori David Perdue dhe Kelly Loeffler, që aktualisht mbajnë dy vendet, nuk arritën të fitojnë mbi 50 për qind të votave, duke u detyruar të përballen në balotazh.

Zoti Perdue përballet me demokratin Jon Ossoff, një gazetar hulumtues i cili humbi me rezultat të ngushtë garën e vitit 2017 për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve, përpara se të garonte me zotin Perdue për një vend në Senat.

Zonja Loeffler, e cila u zgjodh senatore në fillim të vitit 2020, po përballet me Raphael Warnock, një demokrat progresiv i cili është pastor në Kishën Baptiste Ebenezer në Atlanta.

Në garën për këtë vend morën pjesë më shumë se dy kandidatë. Zoti Warnock siguroi numrin më të madh të votave, por nuk e kaloi 50 përqindëshin e nevojshëm për të fituar. Zonja Loeffler ishte e dyta. Balotazhi mes tyre do të zhvillohet më 5 janar.

Edhe në garën tjetër, zoti Perdue udhëhoqi me rezultat të ngushtë ndaj zotit Ossof, por votat që fitoi një kandidat i tretë nuk i lejuan asnjerit prej tyre të siguronte 50 përqindëshin e duhur.

Nga rezultatet e deritanishme, demokratët do të kenë 48 vende në Senat, një më shumë sesa kanë tani. Nga zgjedhjet e 3 nëntorit ata humbën një dhe fituan dy vende.

Nëse republikanët fitojnë një, ose të dy garat e Xhorxhias, ata sigurojnë shumicën në Senat për dy vitet e ardhshme. Por nëse kandidatët demokratë Ossoff dhe Warnock fitojnë të dyja vendet, Senati do të ndahej 50-50 midis republikanëve dhe demokratëve.

Nëse ndodhë kjo, vota vendimtare hidhet nga nënpresidenti, pra në rastin konkret nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris. Demokratët do të ishin në gjendje të siguronin kryesimin e të gjitha komisioneve të Senatit që merren me legjislacionin dhe miratimin e emërimeve të presidentit për në postet kryesore të qeverisë dhe gjykatat federale.

Një shumicë e tillë legjislative, nëse demokratët votojnë si një bllok, do t’i jepte Presidentit të zgjedhur Joe Biden shansin për të miratuar agjendën e tij legjislative për një mori çështjesh.

Por nëse republikanët mbajnë kontrollin e Senatit dhe me demokratët që tashmë kanë siguruar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, administratës së ardhme të zotit Biden do t’i duhej të negocionte gjerësisht për çështje të diskutueshme si taksat, imigracioni, kujdesi shëndetësor dhe çështje të tjera./VOA/

Top Channel