Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria do ta vazhdojë me të gjitha forcat luftën me COVID-19 dhe se fronti i mbrojtjes do të jetë deri në fund në spitalet COVID.
Ai shprehet se vendi ynë do të dalë më i fortë pas dy sfidave të rënda, pandemia dhe tërmeti i 26 nëntorit. Kryeministri thekson se shtëpitë e dëmtuara do të rindërtohen një nga një të gjitha për familjet e prekura nga tërmeti.
“Ne do ta bëjmë me të gjitha forcat luftën me Armikun e Padukshëm dhe fronti ynë i mbrojtjes në spitalet Covid do të jetë deri në fund, një shembëlltyrë e vendosmërisë, kurajos, profesionalizmit, pa asgjë mangut krahasuar me kushtet spitalore, kurat farmaceutike, shërbimin mjekësor në spitalet Covid të Europës! Ne do t’i rindërtojmë një për një shtëpitë, apartamentet, shkollat, kopshtet, spitalet e qendrat shëndetësore të shembura nga tërmeti, në kohë rekord krahasuar me ecurinë e një procesi të tillë në vendet që janë përballur me këtë sfidë! Dhe Shqipëria do të dalë më e fortë nga këto dy sfida të rënda, të cilat mund t’i përballojë e t’i fitojë vetëm kjo shumicë qeverisëse, sepse ne nuk jemi më të mirët dhe kemi patjetër të metat, gabimet, boshllëqet tona, po më të mirë se ne për Shqipërinë nuk ka!”, shkruan Rama.
Top Channel